Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e reja janë zgjidhje në situatën që ndodhet vendi lidhur me moskonstituimin e Kuvendit.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka prodhuar pat pozitë.
Ai ka thënë se po të shkohej në zgjedhje të reja, nuk do të kishte rezultat të njëjtë dhe se elektorati do ta identifikonte fajtorin për këtë ngërç dhe do ta ndëshkonte me votë.
“Zgjedhjet do të duhej të ishin zgjidhja më e mirë në këtë situatë. Rezultati i 9 shkurtit e ka prodhuar këtë pat pozicionin për dy kampet politike edhe pse në fushatë subjektet politike të opozitës nuk janë prezantuar si bllok i përbashkët. Nuk besoj që do të ketë rezultat të njëjtë edhe për faktin që elektorati duhet të identifikojë se cili është fajtori që e ka krijuar këtë ngërç dhe me votë le ta ndëshkojë. Mendoj se elektorati do ta ketë këtë mundësi dhe do të reflektojë ndoshta në mënyrë që mos të kemi situatë tjetër si kjo. Seanca konstituive më shumë do të duhej të zhvillohej në frymë ceremoniale dhe të votoheshin të gjithë të propozuarit, sepse secili deputet është kredibil që ta marrë atë post”, është shprehur ai.
Miftaraj: Patriotizëm i rrejshëm, asnjë parti s'duhet ta përjashtojë Listën Serbe
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se partitë politike po e luajnë kartën e patriotizmit, duke përjashtuar mundësitë për koalicion që çojnë në zhbllokimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, e vetmja rrugëdalje është debati politik mes Lëvizjes Vetëvendosje, si parti e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me partitë e tjera.
“Më 9 shkurt qytetarët votuan. Partitë politike duhet ta kuptojnë se për 30 ditë kanë dalë në fushatë dhe nga 9 shkurti kjo parti politike ka pasur kohën e duhur për të gjetur zgjidhje për të bërë koalicion qoftë me partitë shqiptare, qoftë me parti në Kuvend për të pasur numrat për të votuar kryetarin e Kuvendit. Fatkeqësi është që e kanë marrë kartën e patriotizmit në dorë, duke filluar nga VV-ja pastaj po imitohet nga PDK, LDK, AAK e të tjera”, ka thënë ai në “Konfront”.
Miftaraj ka theksuar se nuk duhet të përjashtohet asnjë parti, madje as Lista Serbe.
“Duhet ta kuptojmë që jo vetëm VV-ja por çdo parti nuk duhet ta përjashtojë askënd nga mundësia për koalicion, përfshirë Listën Serbe. E kemi krijuar një realitet të ri ku Lista Serbe përjashtohet prej çdo alternative ... Nëse e luajnë kartën e patriotizmit të rrejshëm ne mund të ulemi këtu me folë çdo gjë për Listën Serbe. Interes i shtetit është me bë institucione funksionale. Nuk mund ta largosh prej ekuacionit Listën Serbe”, u shpreh ai.
Sadiku thotë se vetëm qeveria PAN ka qenë e varur nga Lista Serbe, Krasniqi s'pajtohet
Përfshirja ose jo e Listës Serbe në qeveri ka nxitur debat mes panelistëve në “Konfront” të KTV-së.
Gazetari Naim Sadiku ka thënë se vetëm qeveria e PAN-it ka qenë e varur prej Listës Serbe, por ai është kundërshtuar.
“Veç një qeveri ka qenë e varur prej Listës Serbe, asnjë qeveri tjetër nuk ka qenë. Veç rasti i PAN-it ka qenë qeveri e varur prej Listës Serbe, asnjë qeveri tjetër s’ka qenë”, ka thënë Sadiku.
E, gazetari Besnik Krasniqi ka përmendur qeveritë ku Lista Serbe ka qenë pjesë dhe janë varur nga votat e saj. Ai ka theksuar se Kosovës tash i duhet qeveri pa Listën Serbe.
“Para Qeverisë Kurti 1 e ke pasë qeverinë që po i referohesh (PAN). Ajo qeveri është drejtuar prej Haradinajt dhe i ka pasur katër pozita për Listën Serbe. Kjo ka qenë hisja e Listës Serbe brenda qeverisë. Vjen Qeveria Kurti 1, bie, dhe vjen Qeveria Hoti. Ka qenë e varur Qeveria Hoti prej Listës Serbe, qysh s’ka qenë. Sa vota i ka pasur Hoti për kryeministër kur është zgjedhë? 61 me atë votën e deputetit të dënuar, përfshirë votën e Listës Serbe”, potencoi Krasniqi.
Drenori: Kurti e ka mundësinë ta bëjë qeverinë, por edhe të na çojë në zgjedhje
Analisti politik, Xhavit Drenori, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka mundësinë ta formojë qeverinë, por edhe ta dërgojë vendin në zgjedhje.
Sipas tij, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje, elektorati do të ndahej në dy kahje.
Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate do të ishin më të rrezikuarat në rast se ka zgjedhje të parakohshme.
“Z.Haradinaj e bëri pak publike që ka informacione se ka pasur takime dhe dakordancë dhe sjellja e Nismës Socialdemokrate, përveç këtij abstenimi që për ne është ndoshta pak i çuditshëm nga ana e jashtme, vërehet që ka përafrim. D.m.th., z.Kurti edhe e ka mundësinë ta formojë Qeverinë pasi të zgjidhet kryetari i Kuvendit, por edhe ka të drejtën e botës të na dërgojë në zgjedhje sepse e dimë që pjesa tjetër nuk bën qeveri. LDK-ja nuk pranon të hyjë në një qeveri që mund të zgjasë deri në pranverën e vitit të ardhshëm sepse i kushton në mënyrë elektorale. Mendoj që edhe PDK-ja e ka nuhatur këtë situatë, kush përfiton prej zgjedhjeve të reja. Besoj që z.Kurti me këtë mënyrë që po shkon nuk mund të përfitojë shumë elektorat, por në një moment të caktuar kur thotë “po na bllokojnë” mund të ndezë masë dhe masa orientohet në dy drejtime. Me këtë rast e rrezikuar është Aleanca, Nisma, dhe do të ketë një bipolarizim të subjekteve politike”, ka thënë ai.