Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pas deklaratave të ashpra të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Miftaraj është shprehur se e thënë edhe më thjesht, “ambasadori amerikan po thotë se qeveria e Kosovës po rren, Besnik Bislimi po mashtron, e shume eksponentë të kësaj qeverie klienteliste, që për interesa të ngushta partiake e rrezikon edhe raportin me shtetin që është sinonim i lirisë dhe shtetit të Kosovës”.
Ai ka shtuar se nëse Qeveria dhe kryeministri nuk reagojnë, protestat duhet të jenë opsioni kryesor.
“Nëse Albin Kurti dhe kjo qeveri nuk reflekton dhe i rrezikon raportet Kosove-Amerike deri në këtë nivel, protestat dhe ngritja e zërit të qytetarëve duhet të jetë opsioni kryesor”, ka shkruar Miftaraj.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë të qartë se situata me dinarin ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën, duke demantuar eksponentë të Qeverisë të cilët e kanë thënë të kundërtën.
Në një intervistë për media të enjten, Hovenier ka thënë se SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Një nga zyrtarët më të lartë amerikan, James O’Brien e bëri të qartë dhe mesazhi im është i qartë – SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Shqetësimet i kemi thënë në publik dhe privat”, ka thënë Hovenier.