Vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ndryshim tarifash nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve të miellit në treg.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, tha se subvencionimi i rrymës për industrinë e grurit ka bërë që Shoqata të tërhiqet nga paralajmërimet për shtrenjtimin e miellit.
"Ne mund të themi me bindje të thellë dhe sa i përket energjisë elektrike nuk ka ndikim në përpunimin e grurit dhe kjo nuk do të ndikojë në çmimin e miellit", tha Zejnullahu.
Bazuar në statistikat e Doganës, Kosova ka importuar mbi 274 milionë euro grurë brenda dy vjetëve të fundit.
Mbi bazën e kësaj vartësie të importit, kryetari i Shoqatës së Mullisëve nuk e përjashton mundësinë e rritjes së çmimit të miellit kur ndryshojnë tregjet ndërkombëtare.
"Nëse ndodh diçka në tregjet ndërkombëtare kishte me qenë diçka tjetër", tha Zejnullahu.
Por, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, përmend një rrethanë tjetër nga e cila mund të diktohet çmimi i miellit.
"Nëse do të përballen edhe me një krizë energjetike, ku janë të detyruar që të furnizohen me energji nga gjeneratorët, kjo gjendje jo vetëm që do të rrisë shpenzimet dhe koston e produkteve, por rrezikon edhe humbjen e vendeve të punës. Prandaj, kërkojmë nga institucionet vendore që të kenë parasysh gjendjen e brishtë të prodhuesve vendorë dhe të ofrojnë zgjidhje që në të ardhmen sektori i prodhimit të mos përfshihet në reduktimet e energjisë elektrike", tha Panxha.
Ndryshe nga konsumatorët familjarë, sektori i bizneseve nuk do të përfshihet në ndryshimet e reja tarifore për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kwh të energjisë elektrike. Për këtë Qeveria ka ndarë 100 milionë euro për subvencionimin.
Subvencionimin e rrymës për bizneset Qeveria e ka arsyetuar me ruajtjen e vendeve të punës dhe me mosngritjen potenciale të çmimeve.
Por, gjatë muajve të fundit ka pasur inflacion në treg për shkak të ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, ku Kosova importon shumicën e produkteve ushqimore.