Kryeredaktori i portalit të Radio Televizionit të Kosovës, Altin Ahmeti, është suspenduar nga kjo pozitë, pasi mediumi publikoi lajmin në të cilin u përvodh edhe propozimi që të goditet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Të premten, disa media në vend publikuan një artikull në të cilin, ndër tjerash ishte edhe një propozim në të cilin thuhej “mundesh me hjek krejt, veç që don m’i qepu Vjoses”.
Lajmi ishte publikuar edhe në mediumin publik. Pas publikimit, RTK-ja kërkoi falje, ndërsa njoftoi se menaxhmenti ka miratuar marrjen e masave adekuate ndaj përgjegjësve të portalit.
KOHA ka mësuar se menaxhmenti ka njoftuar të shtunën Ahmetin se ai është suspenduar nga pozita e kryeredaktorit në web deri në vendimin e komisionit disiplinor. Në arsyetim është përmendur vetëm plasimi i “një lajmi tendencioz dhe të paverifikuar”.
Të premten, Zyra e Presidencës reagoi ndaj publikimit të artikullit të cilin e ka cilësuar me shkelje të rëndë profesionale e tendencë të hapur mediale për denigrimin e Vjosa Osmanit.