Ministria e Infrastrukturës nuk e di se kur do të nisë pagesa për autostradat në Kosovë. Projektligji për rrugët është në pritje të miratimit në Kuvend, e nga Ministria thonë se janë duke i shqyrtuar disa modele të pagesave. Ekspertët e çështjeve ekonomike dhe të komunikacionit, thonë se kjo është e domosdoshme, por kërkojnë që kostoja e pagesës për qytetarët të mos jetë e lartë
Projektligji për rrugët, i miratuar në Qeveri në dhjetor të vitit kaluar, e i miratuar në Kuvend në shqyrtim të parë në mars të këtij viti, parasheh që autostradat të bëhen me pagesë.
Aktualisht, në Kosovë janë dy autostrada: “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” dhe të dyja i kanë hapësirat e veçanta për vendosjen e pikave të pagesës, por, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po shqyrtohen edhe modalitete të tjera të pagesës.
“Nuk dihet se kur do të fillojë që autostrada të bëhet me pagesë. Jemi në pritje që autostradat të bëhen me pagesë. Ka shumë modalitete se në çfarë mënyre do të bëhet pagesa, në hapësirat e veçanta për vendosjen e pikave të pagesës, pastaj kur të bëhet regjistrimi i veturave ose të paguhet biletë 24-orëshe”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas njohësve të ekonomisë, ky projektligj është i vonuar, meqë ka rëndësi të madhe ekonomike për vendin.
“Ka rëndësi shumë të madhe ekonomike qoftë në dimensionin kohor, qoftë në aspektin substancial, duhet të kuptohet që kjo traditë në vend të rajonit kosovar është duke u kushtuar shumë, është faktor kyç në aspektin social, çmimi që do të paguhet, pra implementimi i një ideje të tillë mund të fillojë atëherë kur do të përfundojnë rrugët e filluara para shumë viteve”, ka thënë njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
E Bekim Ahmeti, njohës i çështjeve të komunikacionit, u shpreh se kostoja e pagesës për autostradë nuk duhet të jetë e lartë. Ka thënë se Shqipëria është shembulli që nuk duhet marrë.
“Është diçka e mirë, por jo si në Shqipëri me kosto aq të lartë të pagesës, duhet të analizohet prej grupit të ekspertëve dhe në një mënyrë të bashkëbisedohet me qytetarë gjë që një gjë e tillë mungon tek institucionet tona, pa dallim qoftë për institucionet qendrore apo lokale dhe të analizohet prej ekspertëve ekonomikë se cili çmim do të ishte më i mirë dhe cilat modalitete të përdoren”, ka deklaruar Ahmeti.
Në projektligj parashihet taksë edhe për autostradat që janë në ndërtim e sipër e do të përfundojnë në dy vjetët e ardhshëm.
Qeveria në buxhetin e vitit 2024 ka ndarë 156 milionë euro për infrastrukturë rrugore, prej tyre 62 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve, 34 milionë për ndërtimin e rrugëve të reja si dhe 18.5 milionë euro për ndërtimin e autostradave./Donisa Fazliu