Arbëri

Metamorfoza e projektit për një Jugosllavi të re (II)

Ideja e Serbisë së madhe është e gjallë. Ajo vetëm pëson metamorfoza, qoftë në trajta më të buta si Open Balkans, apo më të ashpra si “Srpski Svet”. Ajo e pret momentin e përshtatshëm historik për të bashkuar të gjithë serbët në një shtet dhe për të siguruar daljen në Adriatik, gjithnjë në dëm të fqinjëve

Përse Open Balkans është i dëmshëm për Kosovën?

Sepse Kosova nuk trajtohet si e barabartë – Një nga tri shtetet anëtare të Trelaterales, Serbia, nuk e njeh Kosovën si shtet. Kjo nuk ia garanton Kosovës një trajtim të barabartë dhe me të drejta të plota në realizimin e interesave të saja.

Sepse nuk është nismë e sinqertë – Si mund të bashkohesh me dikë që ta mohon të drejtën për ekzistencë? Me këtë mendësi dhe me këto veprime, Serbia nuk mund ta bindë askënd se dëshiron të shohë një Kosovë, Mal të Zi apo Bosnjë të zhvilluar ekonomikisht e të prosperuar. Synimi i saj është që t’i vendosë vendet e Ballkanit Perëndimor në varësi ekonomike e politike, të shtrijë ndikimin përgjatë infrastrukturës së rajonit, duke siguruar edhe qasjen në Adriatik përmes Durrësit, të vërshojë tregjet e këtyre vendeve me produktet e veta, të pamundësojë kështu zhvillimin e industrive të tëra dhe zinxhirëve të vlerës brenda tyre dhe fare në fund të frenojë proceset integruese në BE.

Sepse Serbia e re, është Serbia e vjetër – Një marrëveshje e tillë politike është e parealizueshme për shkak të qasjes armiqësore dhe hegjemoniste të Serbisë, veçanërisht ndaj Bosnjës, Malit të Zi dhe natyrisht Kosovës. Politika serbe angazhohet me shumë zell për të penguar investimet e huaja në Kosovë, siç është rasti me Brezovicën apo Trepçën. Zelli i saj është i madh edhe në destabilizimin ekonomik e social të vendit me qëllim zhbërjen e shtetit të Kosovës. Barrierat e njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare, siç është rasti me pengimin aktiv të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në OKB, kampanjat për heqjen e njohjes, retorika anti-Kosovë, mosgatishmëria për t’iu nënshtruar një procesi të thellë të denacifikimit, mospranimi i realitetit se Kosova është e pavarur, armatosja masive gjatë viteve të fundit, pastrimi i heshtur etnik në Luginën e Preshevës, etj. janë dëshmi të tjera për këto synime.

Sepse Serbia e re e do Ballkanin në “Srpksi Svet” – zyrtarët e lartë serbë, siç është ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, nuk ngurrojnë të propagandojnë haptas idenë e “Srpski Svet” (bota serbe) dhe të ftojnë, ngjashëm me babanë e tyre ideologjik Slobodan Milosheviq, për bashkimin e serbëve në një hapësirë të vetme. Vulin tha ditë më parë në një mbledhje të partisë së tij, ku si mysafir mori pjesë edhe Vuçiq, se “populli serb nuk ka të drejtë të heqë dorë nga unifikimi dhe bashkimi, nuk ka të drejtë të heqë dorë nga nota serbe. Dhe në mënyrë që bota serbe të krijohet, Serbia duhet të jetë ekonomikisht e suksesshme, e udhëhequr mirë që të ketë një ushtri që është në gjendje të shpëtojë atë dhe serbët kudo që ata jetojnë.” Kjo thirrje, që nuk është asgjë tjetër përpos se një paralajmërim i ri dhune dhe luftërash në Ballkan, jo vetëm që nuk u dënua nga Vuçiqi, por as nga bota perëndimore. Ideja e Serbisë së Madhe është e gjallë. Ajo vetëm pëson metamorfoza, qoftë në trajta më të buta si Open Balkans, apo më të ashpra si “Srpski Svet”. Ajo e pret momentin e përshtatshëm historik për të bashkuar të gjithë serbët në një shtet dhe për të siguruar daljen në Adriatik, gjithnjë në dëm të fqinjëve.

Sepse Open Balkans nuk ka të bëjë me integrimin në BE – Open Balkans është një nismë e Serbisë e mbështetur nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Si e tillë ajo nuk ka asgjë të përbashkët me procesin e integrimit të vendeve të rajonit në BE dhe nuk garanton një integrim të tillë. Për më shumë ajo e pengon integrimin në BE, sepse krijon rivalitet me proceset integruese.

Sepse Open Balkans bie ndesh me Procesin e Berlinit – Qeveria gjermane, nën udhëheqjen e kancelares Merkel, në bashkëpunim me qeveritë e Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë, Francës, Italisë, dhe Britanisë së Madhe, ka nisur në gusht të 2014-s Procesin e Berlinit me qëllim të aftësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor përmes ndihmave konkrete financiare dhe të tjera për integrim në BE. Open Balkans, përpos që është një kopje e dobët e Procesit të Berlinit, me marrëveshjet e arritura në Shkup paralelizon aktivitetet e Procesit të Berlinit në dimensionin politik, amniston Serbinë nga detyrimet që ka ndaj BE-së në raport me Kosovën dhe paraqet një rrezik dhe kthim prapa për gjithë këtë proces, posaçërisht tani kur Merkel është duke numëruar ditët e saj të fundit si kancelare.

Sepse nuk ka mekanizëm zhdëmtues për më pak të zhvilluarit – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkë nuk bëjnë ekonomikisht as sa gjysma e Bruto Produktit Vendor të Serbisë. Serbia ka një industri tejet të zhvilluar, ekonomia e saj ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm viteve të fundit, edhe për shkak të investimeve evropiane, amerikane, turke, kineze dhe ruse, përderisa vendet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj. nuk kanë arritur të tërheqin një gamë kaq të gjerë dhe heterogjene të investitorëve, qoftë për shkak të paaftësisë, apo për shkak të konsideratave gjeostrategjike të ndërlidhura me NATO-n dhe BE-në. Pra, vendet e rajonit kanë një dallim të madh në ritmin dhe nivelin e zhvillimit ekonomik dhe pa dyshim që Serbia është forcë dominuese ekonomike, forcë e cila ia mundëson të gllabërojë lehtë ekonomitë e vogla. Për të zbutur dallimet ekonomike dhe për të mundësuar një zhvillim të njëtrajtshëm ekonomik, unionet shtetërore, si BE-ja janë njëherësh edhe “unione transferesh”. Ato për shembull aplikojnë masa financiare zhdëmtuese, që arrijnë shuma miliardëshe në vit, për shtetet më të pazhvilluara. Që Open Balkans të ketë kuptim dhe që vendet më të dobëta të mund të specializohen në lëmenj të tjerë për dallim nga specializimet e ekonomisë serbe dhe të jenë atraktive edhe për investime të huaja, një mekanizëm i tillë është i domosdoshëm. Por Serbia as nuk ka interes e as para që të zhdëmtojë vendet më të pazhvilluara të Open Balkans. Mungesa e një mekanizmi të tillë zhdëmtues, jo vetëm që e bën joreal realizimin e këtij projekti, por edhe e dëshmon strategjinë hegjemone serbe për gllabërimin ekonomik të vendeve të rajonit.

Përse Open Balkans mund të jetë furtunë në gotë?

Open Balkans vjen në një periudhë kur Vuçiqit i duhet një imazh i ri përballë aferave kriminale që kanë shpërthyer së fundmi në Serbi. Raportimet mediale tregojnë se grupe kriminale dhe mafioze të lidhura ngushtë me strukturat shtetërore dhe rrethin e ngushtë të Vuçiqit dyshohen të kenë kryer krime makabre kundër kundërshtarëve të tyre dhe të kenë kryer një numër të madh shërbimesh për pushtetin e Vuçiqit dhe për interesa të shtetit. Open Balkans është një lavazh i mirë për imazhin e Vuçiqit, i cili pret të hyjë në zgjedhje të reja, dhe një zhvendosje e përkohshme, por e suksesshme e vëmendjes nga aferat kriminale.

Marrë parasysh faktet e prezantuara më lart, ku një president autoritar dhe një kryeministër egocentrik mendojnë të kenë marrë në duart e veta fatin e rajonit, njëri për t’ia treguar vendin Brukselit e tjetri për te realizuar agjendën e tij shekullore të dominimit të rajonit, ky projekt, që i ngjason një furtune në gotë, pa Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi, do të ketë fatin e projektit Pashiq-Toptani apo Tito-Hoxha.

Cilat janë alternativat?

Edhe pse BE-ja është e lodhur dhe nuk ka perspektivë të qartë integruese për Ballkanin Perëndimor, Kosova dhe vendet e rajonit nuk guxojnë të humbasin shpresën se premtimi i Selanikut i vitit 2003 për integrimin e vendeve të rajonit një ditë do të përmbushet.

Deri atëherë, këto shtete, posaçërisht Kosova, duhet të fokusohen në dimensionet sociale, politike dhe ekonomike të zhvillimit. Kosova duhet të forcojë shtetësinë, edhe duke u forcuar politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, duhet të investojë në arsim e shëndetësi dhe të tërheqë sa më shumë investime të huaja. Në rrafshin e bashkëpunimit rajonal, ajo duhet të forcojë bashkëpunimin me Kroacinë përmes krijimit të një aleance strategjike me këtë shtet. Njëkohësisht, armiqësimi me Shqipërinë, i nxitur edhe nga veprimet e panevojshme të kryeministrit kosovar me pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet në Shqipëri dhe nga reagimet e homologut të tij në Tiranë, nuk guxon të ndodhë. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një trungu dhe për fillim të shkrirjes së akullit, do të duhej të fillonin me zbatimin e 76 marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani mes tyre.

Si përfundim, Open Balkans nuk e sjell Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi e Bosnjën më afër BE-së, siç pretendohet, por më afër integrimit të tyre në “Srpski Svet”. Kosova duhet të vazhdojë të rrijë larg prej aventurave të tilla, që janë kundër interesave të saj dhe që ushqejnë shpirtrat e fantazmave të Serbisë së Madhe që sollën katër luftëra dhe gjenocid në Ballkan. Një unifikim i mirëfilltë dhe i barabartë mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor mund dhe do të arrihet vetëm përmes një integrimi të plotë në BE.