Arbëri

Metaj: 33 zjarre të reja u raportuan në 24 orët e fundit

Disa rajone të Kosovës janë përballur me një numër zjarresh ditëve të fundit.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 33 zjarre të reja. E, gjithsej në katër ditët e fundit ishin raportuar mbi 300 raste të zjarreve.

Ai ka thënë se kjo situatë është e pazakontë, pasi një e tillë zakonisht pritet të ndodhë gjatë muajve të nxehtë të verës.

“Aktualisht situata është më e qetë. Gjendja më e rënduar ka qenë vikendin e kaluar. Edhe sot nuk është se nuk kemi zjarre, gjatë 24 orëve të fundit i kemi 33 zjarre të raportuara, por gjendja është nën kontroll. Në të gjitha zonat e Kosovës i kemi raportimet, sot i kemi kryesisht në zonën e Gjilani, Vitisë, Ferizajt, Shtimes, në Prishtinë”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Siç ka thënë Metaj, shkaktari kryesor i këtyre zjarreve është njeriu.

“Sidomos në zonat rurale ka njerëz që i ndezin zonat e thata dhe ato shpërndahen, por ka edhe persona që dalin në pikniqe, ndezin zjarre dhe përhapen, ka edhe disa supozime që dikush e vë një zjarr me qëllim për të përfituar”.

 Ai ka shtuar se nuk ka pasur lëndime serioze të zjarrfikësve gjatë detyrës që kanë kryer, përveç disa lëndimeve të lehta.

Metaj ka theksuar se është e nevojshme të rritet numri i zjarrfikësve, ndërkaq u ka bërë thirrje qytetarëve për vetëdijesim.

“Duhet pak vetëdije qytetare, pak patriotizëm dhe duhet me dashtë shtetin dhe duhet me pasë guxim me denoncu rastin. Jam i sigurt se njerëzit në viset rurale i kanë informacionet sepse mund ta dinë e kujt është ara ose kush po e ndezë, por ndoshta nuk janë të guximshëm mjaftueshëm për ta denoncuar”, u shpreh Metaj.