Arbëri

Mësohet identiteti i të ftuarit të tretë për në Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale ka vazhduar me ftesa të tjera për të intervistuar persona që mund të lidhen me aktakuzat e tyre.

Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, është i ftuari tjetër, ka konfirmuar për KTV-në avokati Tahir Rrecaj.

Megjithatë, ai nuk ka ende asnjë informatë zyrtare se në çfarë cilësie është ftuar ai.

“Mbrëmë hetues të Speciales kanë shkuar dhe e kanë njoftuar atë se është i ftuar për intervistim më 22, 23 dhe 24 janar por nuk i kanë dhënë asnjë detaj se a është i dyshuar, dëshmitar apo çfarë dhe se as ku do të kryhet ky intervistim”, ka thënë Rrecaj.

Për këtë, ai ka thënë se do t’i shkruaj një letër zyrës administrative të Gjykatës për të kërkuar sqarime rreth klientit të tij, meqë ai e ka autorizuar që ta përfaqësojë në këtë rast.

Me Mehmetin janë bërë së paku 3 persona që publikisht është e ditur që janë ftuar nga Specialja për intervistim. Pos Mehmetit, nga Specialja janë ftuar edhe Rrustem Mustafa e Sokol Dobruna.

Mehmeti ishte pjesë e Grupit të Llapit dhe ishte dënuar më 2013 nga Gjykata e Prishtinës për krime lufte. Bashkë me të, ishin dënuar edhe Rrustem Mustafa Remi dhe Latif Gashi.