Disa prindër po ankohen se orari i mësimit tërëditor që ka filluar në disa shkolla në kryeqytet, i cili përfundon para orës 3, bie ndesh me orarin e tyre të punës. Disa kanë thënë se kjo është duke rrezikuar ata në humbjen e vendit të punës. Gjithashtu prindërit kanë ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si zhvillohet mësimi, duke e cilësuar si joefektiv dhe me organizim të dobët
Përveç ngritjen e cilësisë në arsim, mësimi tërëditor është promovuar nga Komuna e Prishtinës edhe si një proces për t’ua lehtësuar prindërve që janë të angazhuar në punë me orar tetorësh.
Por realiteti është më ndryshe.
Prindërit që kanë fëmijët në klasën e parë dhe të dytën vlerësojnë se orari nuk është lehtësim, meqë nxënësit e përfundojnë mësimin në 14:30, e obligimet e tyre profesionale zgjasin deri pas orës 16:00.
“Shpesh më bie që brenda pesë ditëve sa fëmija ka shkollë, tri ditë i kam kështu më problem pasi shpesh herë kuptohet që edhe prej natyrës së punës e kam më problem të dal ta marr fëmijën, pasi ky është problemi që po ballafaqohemi ditëve të fundit”, ka thënë Fatos Preniqi, prind.
Një prind tjetër ka thënë në kushte anonimiteti se rrezikon të humbasë vendin e punës për shkak të kësaj situate.
Gjithashtu ka ngritur shqetësime për mënyrën se si zhvillohet mësimi, duke e cilësuar si joefektiv dhe me organizim të dobët.
“Mësimi i rregullt përfundon me 4 orë në ditë me mësuesen, pastaj vazhdohet me orët e lëndëve të cilat mbahen nga mësueset e angazhuara. Shumë prej këtyre lëndëve janë sipërfaqësore, p.sh.: Lënda ‘Vizitat’, e cila parasheh një herë në javë vizita, nuk është mbajtur asnjëherë që nga fillimi i vitit shkollor. Detyrat e shtëpisë, të cilat janë paraparë të përfundohen në shkollë, në shumicën e rasteve kryhen në shtëpi. Arti figurativ nuk ka asnjë inovacion, përkundrazi, fëmijët udhëzohen të punojnë në shtëpi me prindërit. Aktiviteti social po ashtu është i parealizuar si duhet”, ka thënë ky prind.
Edhe Besnik Ejupi, prind i dy fëmijëve, shprehet i pakënaqur me organizimin dhe efektivitetin e mësimit tërëditor.
“Vetëm humbin kohë shumë më shumë sesa që realisht marrin mësim që do iu duhet fëmijëve. Edhe kohën e lirë, imagjinatën e gjithçka e hupin, nuk është që kultivojnë diçka, por më shumë i cungojnë”, ka thënë Ejupi.
Riorganizimi i shkollave ka krijuar probleme edhe në nivelin e mesëm të lartë.
Për shkak të bashkimit të nxënësve të gjimnazit “Eqrem Çabej” me ata të gjimnazit “Ahmet Gashi” janë reduktuar disa hapësira për lëndë praktike dhe zhvillimi i aktiviteteve fizike.
“Mësimin ku po e vijojmë tash ne, tash kjo klasë ka qenë kabinet dhe për ne është shumë e vështirë, do të thotë se nuk kemi mundësi me mbajt në kabinete mësimin, por e zhvillojmë mësimin në teori për teknologji”, ka thënë Klodina Salihi, nxënëse në SHML “Ahmet Gashi”.
Si rrjedhojë, gjimnazet kanë mbetur pa asnjë kabinet.
Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, shpreson që të gjendet një zgjidhje që nxënësve t’u kthehen hapësirat për zhvillimin e lëndëve praktike.
“Ne po shpresojmë të shohim tash edhe drejtoria komunale e arsimit çka vendos, mos rastësisht po lirohet ndonjë hapësirë tjetër ku ata munden me shkuar”, ka deklaruar Metaj.
Për këto çështje, KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, por tash e sa ditë nuk ka marrë përgjigjeje.
KOHA ka pyetur edhe Inspektoratin e Arsimit nëse ka pranuar ndonjë ankesë nga prindërit për mësimin gjithë ditor. Në përgjigje është thënë se vetëm një ankesë është protokolluar në këtë institucion.