Arbëri

Mësimi në distancë: Mësimdhënësit po komunikojnë në forma të ndryshme me nxënësit

Edhe pse në shtëpi, mësimdhënësja e shkollës “Ismail Qemaili” në Prishtinë, Filloreta Mustafa-Dermaku, tash e disa ditë po e vazhdon punën e saj duke i ndihmuar nxënësit me sqarime në realizimin e mësimit nga distanca.

Përmes programit “Zoom”, ajo lidhet çdo ditë me nxënësit e saj, për t’iu dhënë përgjigje kërkesave të tyre e duke i ndihmuar në mësimet që po transmetohen në RTK.

Këtë mënyrë komunikimi, ua ka rekomanduar edhe kolegëve të saj pasi, siç thotë, nuk mjafton vetëm mësimi nga televizori pa ndihmën e mësuesve.

Por jo të gjithë mësimdhënësit janë duke vepruar njëjtë.

Disa prindër i kanë thënë KOHËS prapa kamerave se po hasin në vështirësi, meqë mësimdhënësit nuk po bashkëpunojnë sa duhet me fëmijët e tyre.

Për këtë, ka reaguar kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i cili i ka ftuar mësimdhënësit ta kryejnë detyrën me përgjegjësi, duke e vazhduar komunikimin me nxënësit rreth procesit mësimor.

Edhe Ministria e Arsimit ka theksuar se mësimdhënësit janë të obliguar të vazhdojnë kryerjen e detyrimeve të veta profesionale, duke u fokusuar në lehtësimin e realizimit të mësimit online, raporton KOHA.

Sipas MASHTI-t, për realizimin me sukses të mësimit online, kërkohet angazhim i plotë i autoriteteve, institucioneve dhe personelit arsimor në Kosovë.

“Këtë do ta realizojnë duke krijuar grupe virtuale me prindërit dhe nxënësit e vet. Detyra e mësimdhënësve është përcjellja e mësimit online, përkujdesja për aktivizimin e rregullt të nxënësve, përkujdesjen dhe përcjelljen e kryerjes së detyrave të shtëpisë, këshillimin e nxënësve për tejkalimin e sfidave, shpjegimin e pjesëve më të rënda, mbajtjen e evidencave e të tjera. Mësimdhënësit përcjellin orarin e mësimeve online dhe komunikojnë me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve. Secili nxënës do të krijojë portofolion e vet me angazhimet konkrete dhe detyrat e kryera gjatë kësaj periudhe. Edhe mësimdhënësit do të duhet të krijojnë dëshmi të punës dhe angazhimit të vet në përkrahje të nxënësve dhe prindërve”, është thënë nga MASHTI.

Të hënën ka nisur mësimi nga distanca për klasat 1-5, ndërkaq nga java tjetër pritet të nisë edhe për klasat 6-9. MASHTI ka bërë të ditur se po punon që kjo formë e mësimit shumë shpejt të fillojë edhe për shkollat e mesme.

Përveç në RTK 1, mësimet po shfaqen edhe në RTK 4, si dhe në uebfaqen; e-mesimi.rks-gov.net