Arbëri

Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Komunës së Prizrenit

Viti i ri shkollor, sipas Drejtorisë së Arsimit në Prizren, ka filluar në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar.

Në shkollën “Mati Logoreci” në Prizren, të hënën, prindërit kanë shoqëruar fëmijët e tyre, të cilët kanë filluar mësimin në klasën e parë. Mirëseardhje atyre u kanë dëshiruar menaxhmenti i shkollës, por edhe zyrtarët e lartë komunalë.

Drejtori i kësaj shkolle, Hilmi Rexhaj, gjatë ceremonisë ka uruar një vit të mbarë shkollor, për të gjithë nxënësit.

“Investimi më i mirë, më i sigurt, dhe më afatgjatë është tek edukata, arsimi dhe kultura. Urimi më i veçantë është padyshim për ju nxënësit e klasës së parë, ju që sot për herë të parë uleni në bankat e shkollës, ku do të filloni një etapë të re të jetës tuaj”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se fillimi i vitit të ri shkollor është festë dhe ka shprehur mirënjohje për Sindikatën për pezullimin e grevës.

“Po du me i dhanë një kompliment Sindikatës që kanë marrë vendimin për me ndërpre grevën dhe me fillu shkollën, se megjithatë interesi është shumë i madh që nxënësit të fillojnë mësimin, por edhe mësimdhënësit të fillojnë punën, prandaj po dua që ti përgëzoj të gjithë”, ka deklaruar Totaj.

Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj, ka pohuar se mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Prizrenit.

“Sot ka filluar viti i ri shkollor, edhe pse me një muaj vonesë, mirëpo në bashkëpunim me të gjitha shkollat, mësimdhënësit, nxënësit dhe stafet udhëheqëse të shkollave janë krijuar të gjitha kushtet optimale dhe të gjitha shkollat me njoftimet, të cilat i kanë deleguar në drejtorinë e arsimit janë duke filluar mirë edhe mbarë”, ka bërë të ditur ajo.

Por sipas psikologut në ShFMU “Mati Logoreci”, Nazim Mahmuti nisja e mësimit me vonesë ka ndikim negativ në aspektin psikologjik të fëmijëve, sidomos te parashkollorët dhe ata të klasave të para.

“Kjo vonesë sigurisht që ka me i demotivu, por shpresojmë se me punën tonë brenda mekanizmave shkollorë si me mësuesit, si me psikologët shkollorë, të arrijmë ta modifikojmë situatën edhe të arrijmë ti motivojmë për të filluar vitin shkollor”, është shprehur ai.