Saktësisht 42 për qind e nxënësve të përfshirë në një hulumtim, janë shprehur se mësimdhënësit nuk kanë komunikim fare me prindërit e tyre. E dhëna ndodhet në një raport të organizatës “Teach for Kosova” mbi vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Gjatë vlerësimit, ka rezultuar se mësimdhënësit kanë njohuri të mjaftueshme për lëndën e tyre, por shkathtësitë pedagogjike nuk i kanë në nivel të duhur
Mungesa e komunikimit mes mësimdhënësve dhe prindërve është shprehur si shqetësim gjatë shpalosjes së raportit të organizatës “Teach for Kosova” mbi vlerësimin e performncës së mësimdhënësve.
Saktësisht 42 për qind e nxënësve janë shprehur se mësimdhënësit nuk kanë komunikim me prindërit e tyre, në vlerësimin që i janë nënshtruar afër 400 mësimdhënës dhe janë përfshirë në pyetësor mbi 6 mijë nxënës.
Vlerësimi i perfomancës së mësimdhënësve që është zhvilluar gjatë dy viteve të fundit ka përfshirë tri instrumente për të realizuar procesin: vëzhgimi në klasë nga menaxhmenti i shkollës, vetëvlerësimi nga mësimdhënësi dhe pyetësori për nxënësit.
Në këtë proces janë përfshirë institucionet arsimore nga pesë komuna: Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Podujeva dhe Mitrovica.
Procesi i vlerësimit të perfomancës së mësimdhënësve është proces ligjor i obligueshëm për mësimdhënësit. Por nuk është duke u zhvilluar nga Ministria e Arsimit. Ky proces pati filluar në vitin 2018 e pastaj u pezullua në vitin 2020 për shkak të pandemisë. Në atë periudhë janë vlerësuar 755 mësimdhënës nga 23 mijë sa janë gjithsej.
Në mungesë të një vlerësimi institucional, organizata “Teach for Kosova” e ka zhvilluar këtë proces në kuadër të projektit “E ardhmja e edukimit”. Megjithatë mësimdhënësit do të vlerësohen prapë nga Ministria e Arsimit, më saktësisht nga Inspektorati i Arsimit.
Gjatë vlerësimit të Teach for Kosova, ka rezultuar se shkathtësitë padagogjike të mësimdhënësve nuk janë në nivel të duhur. Disa nxënës janë shprehur se nuk ndihen të përfshirë nga mësimdhënësit gjatë orës mësimore.
“Puna e mësimdhënësit ose detyra e mësimdhënësit është që të sigurohet që e gjithë klasa të jetë e motivuar dhe të gjithë të kenë qasje në klasë, por siç po shihet në disa raste nuk po ndjehen ashtu nxënësit”, ka thënë Egzon Gashi, drejtor në organizatë.
Janë 10 për qind e nxënësve të cilët janë shprehur se mësimdhënësit nuk i dëgjojnë mendimet e tyre, e shtatë për qind kanë deklaruar se mësimdhënësit nuk e marrin mundin t’ua kërkojnë mendimin, e pesë për qind janë shprehur se mësuesi nuk i dëgjon me kujdes.
Ndërkaq, 91 për qind e nxënësve kanë vlerësuar se mësuesi ka njohuri në lëndën që ligjëron. Ndërsa mësimdhënësit janë vlerësuar se nuk janë të hapur në pranimin e kritikave.
“Mësimdhënësit nuk e pëlqejnë kur marrin kritika prej nxënësit dhe sugjerimi jonë si organizatë është që të jeni pak më të hapur ndaj kritikave të nxënësve. Ndoshta nuk janë të gjitha kritika të sakta, por së paku të jenë të hapur ndaj kritikave dhe t’i dëgjojnë kur japin feedback nxënësit”, ka thënë Gashi.
Në raportin e vlerësimit të performancës, 85 për qind e mësimdhënësve janë shprehur se barrierat në sistemin arsimor nuk mund t’i ndryshojnë, e 61 për qind mendojnë se nuk është përgjegjësi e tyre ta ndryshojnë sistemin arsimor.
E sipas Dardan Konjufcës, i cili është asistent i projekteve në Teach for Kosova dhe bashkautor i raportit, këto shifra tregojnë se mësimdhënësit janë të demotivuar.
“Kjo të bën të nënkuptosh që ata shkojnë në punë dhe kryejnë punën, mirëpo nuk besojnë në atë që janë duke e bërë realisht. Kur ke besim që nuk do të ndryshohen barrierat, besoj që veç shkon për ta kryer punën, veç për ta kryer ditën. Pa dashur ta nënvlerësojë askënd personalisht”, ka thënë Konjufca.
Organizatorët e projektit kanë rekomanduar që drejtorët të punojnë më afër me mësimdhënësit për t’i ndihmuar të kuptojnë se çfarë pritet prej tyre nga vëzhgimi në klasë. Pastaj, sipas tyre, shkollat duhet të sigurojnë që të gjithë mësimdhënësit të kenë komunikim të vazhdueshëm me prindërit dhe familjet. E për mësimdhënësit kanë thënë se duhet të kalojnë më shumë kohë duke inkurajuar nxënësit të ndajnë qëllimet dhe aspiratat e tyre personale, kurse stafi arsimor të jetë më i hapur ndaj kritikave të nxënësve.
Vlerësimi i performancës realizohet përgjatë katër fazave të karrierës në mësimdhënie, të përcaktuar me udhëzimin administrativ për sistemin e licencimit. Fazat e karrierës së mësimdhënësve janë: hyrja në profesion, licenca e karrierës, licenca e avancuar dhe licenca e përhershme.