Arbëri

Mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e Kamenicës protestë para MASHT-it

Vazhdojnë kundërshtimet e reformës në arsim në Komunën e Kamenicës.

Kundër reformës në arsim në këtë komunë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), kanë protestuar mësimdhënës, nxënës e prindër nga shkolla fillore “Hasan Prishtina”, në Busavatë të Kamenicës, raporton EO.

Nxënësit e kësaj shkolle kanë mbajtur në duar pankarta me të cilat i janë drejtuar, ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti.

“Vjosë e Albin, ne jemi duke vuajtur”, “Duam librat tona”, shkruante në disa nga pankartat që mbanin në duar nxënësit e kësaj shkolle.

Drejtori i shkollës “Hasan Prishtina” në Busavatë, Abedin Maliqi i ka bërë thirrje MASHT-it, që ta ndalojë reformën e ndërmarrë nga kryetari Qëndron Kastrati. Ai e ka porositur Kastratin që tërhiqet nga reforma.

Ndërsa, Feim Maliqi nga Këshilli i Prindërve ka thënë se nga kjo reformë po mbyllet shkolla e Busavatës e cila ka 104 nxënës.

Megjithatë, Komuna e Kamenicës është zotuar se nuk do të heqë dorë nga reforma. Reforma në Kamenicë është ndarë në dy faza.

Faza e parë është aplikuar në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe ka përfshirë fshatrat Krilevë, Busavatë, Strezoc e Tuxhec.

Ndërkaq, faza e dytë që edhe është pezulluar ka përfshirë fshatrat Koretin, Topanicë e Petroc.

{gallery}