Arbëri

Mësimdhënësit nuk paguhen për orët shtesë gjatë mësimit tërëditor

Në shkollat e kryeqytetit, ku po zbatohet mësimi tërëditor, disa mësimdhënës thonë se janë duke mbajtur orë shtesë dhe që për këtë as nuk janë paguar. Në fillim të zbatimit të projektit, në Komunën e Prishtinës e patën bërë zotimin se mësimdhënësit nuk do të ngarkohen me orë shtesë dhe se për këtë synim do të angazhohet staf i ri. E teksa në Komunë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth pretendimeve të mësimdhënësve, në SBASHK ato i kualifikuan si shkelje ligjore

Që nga nisja e mësimit tërëditor në pesë shkolla fillore të Prishtinës, disa mësimdhënës thonë se për realizimin e këtij projekti janë angazhuar përtej normës prej 20 orësh mësimi në javë.

Një mësimdhënëse ka treguar në kushte anonimiteti se për orët shtesë as nuk është paguar që nga shtatori.

“Deri në tri orë në javë kam orë shtesë që i realizoj me nxënësit. Qëkur ka filluar, jam angazhuar edhe me orë mësimore që tejkalojnë normën prej 20 orësh dhe ende nuk kam pranuar pagë për këtë punë shtesë që jam duke e bërë. Për këtë, komunikim kemi vetëm me menaxhmentin e shkollës, të cilët kanë komunikuar me Drejtorinë Komunale të Arsimit, dhe me aq sa jemi informuar është që procesi i pagesave të mbinormës merr më shumë kohë”, ka thënë ky mësimdhënës.

KOHA kontaktoi edhe katër mësimdhënës të tjerë të shkollave, ku zbatohet mësimi tërëditor, e edhe ata thanë të mos jenë paguar për orët shtesë që i kanë mbajtur. 

Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku, pati deklaruar në gusht se mësimdhënësit nuk do të ngarkohen me orë shtesë, por se për këtë do të angazhohet staf i ri. 

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thanë të mos kenë pranuar ndonjë ankesë nga mësimdhënësit, teksa kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, theksoi se mospagesa për orë shtesë përbën shkelje ligjore. 

“Me ligjin e Punës edhe kontrata kolektive, edhe kontratat e punës që e kanë secili person, nuk mund të bëhet ngarkesë mbi normë pa një mirëkuptim të dy palëve në kontratë por edhe thuhet në Ligj që çdo orë mbi normë, nëse pajtohen të dy palët, duhet të paguhet. Ne nuk kemi ndonjë shkresë konkrete nga cilido prej kolegëve që është ngarkuar me normë shtesë që nuk është paguar, por nëse ato do të na vijnë, ne do t’iu drejtohemi zonjës Lushaku pasi e kemi premtimin e saj dhe ne pikërisht e kemi përkrahur këtë iniciativë duke e marrë atë premtimin që e thash se punëtorët arsimorë nuk do të ngarkohen për shkak të mësimit tërëditor me orë shtesë”, ka thënë Jashari.

Lidhur me çështjen, Lushaku nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Procesi i mësimit tërëditor po zhvillohet në pesë shkolla të kryeqytetit për nxënës të nivelit fillor. Dyert e shkollave për nxënësit hapen në orën 7:45. Ata të klasave të para dhe të dyta mësimin e vijojnë deri në orën 14:00, teksa të tjerët deri në orën 15:45.

Së fundi, Lushaku ka njoftuar se ka nisur bisedimet edhe me përfaqësues të shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë dhe atë “Shkëndija” në Hajvali për organizimin e brendshëm me qëllim të zbatimit të mësimit tërëditor.