1 milion e 400 mijë euro të cilat ishin alokuar në fondin rezervë të komunës me miratim të Kuvendit Komunal të Gjilanit janë transferuar në kategorinë për investime kapitale. Përqindja më e madhe e këtyre mjeteve do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve për projektet të cilat implementohen siç janë projektet e infrastrukturës nëntokësore dhe asaj rrugore.
Këshilltarët komunal nga subjekte të ndryshme politike kanë shprehur vërejtjet e tyre për këtë transfer gjatë seancës së Kuvendit Komunal që është mbajtur sot. Sipas tyre buxheti në vlerë mbi 1 milion euro do të duhej të alokohej për sektorin e arsimit dhe sektorin e shëndetësisë.
Këshilltarja komunale, Mimoza Kadriu e cila është edhe mësimdhënëse ka akuzuar komunën se ka lënë anash sektorin e arsimit sa i përket investimeve. Ajo deklaron se mësimdhënësit nga xhepi i tyre po paguajnë për shtrirjen e rrjetit të internetit nëpër shkolla me qëllim që për këtë vit shkollor të mundësohet ndjekja e procesit mësimor përmes platformës online.
“Ekzekutivi nuk ka prioritet arsimin dhe ne jemi duke dhënë maksimumin dhe jemi mobilizuar i tërë stafi për fillimin e procesit mësimor. Si mësimdhënës kemi dhënë nga xhepi jonë për të shtrirë kabllon në tërë shkollën në secilën klasë me pas mundësi mu kyç edhe nxënësit të cilat janë në shtëpi me u lidh me mësimdhënësin i cili është në klasë. Është dashur që destinimi i mjeteve të parashihet me ndihmu arsimin” thotë ajo.
Sipas saj, në shkollat e qytetit përveç që mungojnë dezinfektuesit dhe maskat ka mungesë edhe të inventarit. “Nuk është që shkollës i mungojnë vetëm dezinfektuesit dhe maskat. Shkollave i mungojnë kushtet prej më elementareve. Hyra me mbajt një trajnim dhe për shkak të ndriçimit të madh që depërtonte ka qenë e pamundur me u pa në projektor gjërat për të cilat është mbajtur trajnimi. Nuk ka roleta” ka thënë ajo.
Edhe këshilltari komunal, Nevzad Isufi ka kërkuar që këto mjete të alokohen kryesisht për sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia. Edhe ai është ankuar se mësimdhënësit po shpenzojnë mjete financiare nga xhepi i tyre për shtrirjen e internetit nëpër shkolla. Kurse edhe këshilltari komunal, Riza Abdyli ka kërkuar që mjetet të alokohen kryesisht për sektorin e shëndetësisë dhe arsimit. Kurse këshilltari komunal, Isa Agushi ka kritikuar komunën se nuk ka paraparë mjete financiare për testimin e qytetarëve për COVID-19.
Ndërkaq nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka deklaruar se në ndarjen e mjeteve financiare kanë marr pjesë drejtorët komunal të cilët janë pajtuar me alokimin e mjeteve në drejtoritë të cilat i udhëheqin. Ai ka deklaruar se këto mjete janë të nevojshme për përmbushjen e planeve të tyre meqë disa projekte kanë ngelur mbrapa si pasojë e pandemisë.
Me 20 vota pro dhe 5 kundër është miratuar transferimi i mjeteve nga fondi rezerve në kategorinë për investime kapitale.