Me aktivitete për nderim të punës së mësimdhënësve është shënuar të premten Dita e Mësuesit. Ministria e Arsimit ia ndau çmimin “Shaban Jashari” për kontributin dhe punën në arsim Shaip Krasniqit, mësues në shkollën “Naim Frashëri” në Breznicë të Obiliqit.
Ndërsa e vlerësoi peshën e mësimdhënësve në shoqëri, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri zotim për përkrahje të vazhdueshme për punëtorët e arsimit.
“Si arsimtare me përvojë të gjatë në të gjitha nivelet e punës në arsim, e di mirë dhe e kuptoj thellë peshën dhe ndjeshmërinë që e ka puna juaj e çdoditshme. Andaj edhe me këtë vetëdije, ne si Ministri e Arsimit kemi vënë një theks te zhvillimi profesional i mësimdhënësve”, ka thënë Nagavci.
Por njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka shprehur qëndrimin se ka mungesë të mbështetjes institucionale për mësimdhënësit dhe këtë e ndërlidhi edhe me cilësinë në arsim.
“Problemi kryesor i sistemit tonë të arsimit është cilësia jo e mirë dhe këtu me siguri që një kontribut e ka edhe cilësia e mësimdhënies. Pra, tani nuk mendoj t’i fajësoj mësimdhënësit si individ për këtë punë, por sigurisht që mungesa e mbështetjes institucionale, krijimi i një mjedisi më të përshtatshëm, nuk është që jemi të kënaqur në përgjithësinë me cilësinë e arsimit, që është njëri ndër shkaqet e problemit të cilësisë së arsimit në përgjithësi”, ka theksuar Pupovci.
Si pjesë e shënimit të 7 Marsit, të premten janë ndarë mirënjohje për mësuesit e dalluar në Komunën e Prishtinës, si dhe është mbajtur një diskutim për rolin e shtëpive-shkolla gjatë viteve ’90.