Në 29 seanca parlamentare të mbajtura nga janari deri në fund të muajit korrik sivjet, deputetët kanë munguar 525 herë apo mesatarisht çdo seancë munguan 24.3 për qind e deputetëve, sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës për vlerësimin e punës së Kuvendit në sesionin pranveror.
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit, ka thënë se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka përjetuar rënie të aktivitetit. Për 13 javë pune s’ka pasur fare seanca. Nga 29 seancat e mbajtura për shtatë muaj, 10 ishin plenare, 7 vazhdime, 6 ishin të jashtëzakonshme dhe 6 solemne.
Sipas vlerësimit të KDI-së rendi i ditës në të gjitha seancat e rregullta ishte i stërngarkuar dhe s’ka mundur të trajtohej asnjëherë në tërësi. Si rezultat, pikat e rendit të ditës kanë vazhduar të barten nga seanca në seancë.
“Shkak kryesor për mosrealizim të rendit të ditës mbetet mungesa e kuorumit të nevojshëm. Vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve”, thuhet në raport.
Në prezantim të raportit, Haxholli ka thënë se përgjatë sesionit janë miratuar 36 projektligje, tetë më pak se në sesionin e njëjtë të vitit të kaluar. Në përqindje, sipas KDI-së, agjenda e Kuvendit u përmbush 28 për qind. Sipas raportit, “nga 36 projektligje të miratuara, vetëm 3 projektligje janë pjesë e agjendës legjislative të ekzekutivit të vitit 2024, që do të thotë se më pak se 1% e agjendës legjislative 2024 të Qeverisë është miratuar gjatë këtij sesioni”.
Të tjerat projektligje që u miratuan ishin ato që për vite kishin mbetur në procedurë.
KDI-ja ka thënë se në mbledhjet e komisioneve ka pasur më shumë shprehje ofenduese.
Kryeministri nuk është ftuar asnjëherë në raportim e nuk ka pasur interpelanca. Kryeministri Albin Kurti nuk ka ofruar përgjigje në 36 pyetje të deputetëve. Deputetët kanë parashtruar 110 pyetje për Qeverinë.
Edhe sivjet ka pasur votë me dorë, e sipas KDI-së, në disa raste ka vënë në dyshim numërimin e saktë të votave.
KDI-ja ka kërkuar që Kuvendi t’i shmangë mangësitë që karakterizuan sesionin pranveror dhe ta miratojë Kodin e Sjelljes së Deputetëve.