Qeveria mori vendim përfundimtar që disa prona të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe në atë të Zubin-Potokut të shpronësohen për interes publik. Shpronësimi i këtyre pronave, sipas Ekzekutivit, do të bëhet në pajtim me aktvendimet e gjykatave. Por, në Zyrën për Kosovë në Qeverinë e Serbisë e akuzuan kryeministrin Albin Kurti se mori vendim të paligjshëm me qëllim që t’i dëmtojë serbët në Kosovë
Në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike të premten, Qeveria e Kosovës mori vendim përfundimtar për t’i shpronësuar për interes publik disa prona të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin-Potokut.
Vendimi u mor për të realizuar disa projekte infrastrukturore dhe kjo u bë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Kosovës.
Por, ndaj vendimit reaguan në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë duke e akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, se mori vendim të njëanshëm dhe të paligjshëm në dëm të serbëve në Kosovë.
“Edhe pse të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë shprehur qartë kundër shpronësimeve të paligjshme në veri të Kosovës, me gjithë faktin se lëvizjet e tilla janë në kundërshtim me aktet juridike ndërkombëtare dhe se edhe disa të ashtuquajtura organe të drejtësisë nga Prishtina kanë vendosur se shpronësimi është bërë jashtë rregulloreve të vlefshme, Kurti, në furinë e tij antiserbe, injoron gjithçka, vetëm për ta dëmtuar popullin serb”, kanë thënë në këtë Zyrë.
Në janarin e vitit të shkuar Qeveria pati miratuar një vendim preliminar për shpronësimin e tokës në Leposaviq dhe në Zubin-Potok, ku ishin planifikuar projekte infrastrukturore. Vendimi qe atakuar në gjykata nga serbët lokalë.
Asokohe reaguan edhe në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, tek u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë me përpikëri procedurat ligjore lidhur me shpronësimet.
Gjykatat në Kosovë, ani se në disa padi individuale patën anuluar vendimet e Qeverisë, i kanë hapur rrugë vendimit përfundimtar për shpronësim.
Edhe në njoftimin e Qeverisë, pas mbledhjes, është bërë e ditur se shpronësimi do të bëhet në bazë të aktvendimeve të gjykatave.
Në mbledhjen e së premtes Qeveria ka marrë vendim edhe për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-ndërmarrjes shoqërore P. Sh IGK “Ballkan”, njësia “Damper”, (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në Komunën e Suharekës.
Po ashtu është vendosur për rialokimin e mjeteve në shumë prej 577,900.00 eurove në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit “Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme”.
Qeveria ka marrë vendim për t’ia kërkuar presidentes së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”, dhe marrëveshjes tjetër për projektin “KOMPAS – Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë”.