Një e çarë që shihet në murin e jashtëm të shtëpisë trekatëshe, mërgimtari Kadri Sokoli thotë se është shkaktuar me të nisur bodrumi i një objekti banesor ngjitur shtëpisë së tij. Nga ajo kohë ka bërë shumë ankesa, në të cilat thotë se nuk ka marrë një përgjigje. Autoritetet komunale janë mjaftuar me një gjobë që ia kanë shqiptuar investitorit të ndërtimit të lartë, për të cilin kanë thënë se paraprakisht ka siguruar të gjitha lejet
Mërgimtarit Kadri Sokoli i është prishur rehatia që, sa herë vinte në Kosovë, e ndiente në shtëpinë e tij trekatëshe në “Tophane” të Prishtinës.
Një e çarë që shihet në murin e jashtëm, ai thotë se është shkaktuar me t’u nisur një ndërtim i lartë ngjitur shtëpisë së tij, në fillim të marsit.
“Unë kam ardhur në shtëpinë time në pushim. Një pushim të shkurtër e kam pasur. Kur jam zgjuar në mëngjes, e kam hapur dritaren, kam parë bazën aty, kam parë që ka filluar ndërtim pa dijeni, pa asgjë. Kam parë që është rrënuar një shtëpi që ka qenë ngjitur me mua”, tregon Sokoli.
Ai tregon se nga atëherë ka bërë shumë ankesa tek autoritetet.
“Iu kam drejtuar Policisë së pari. Atëherë Policia e ka thirrë Inspeksionin. Kanë thënë dalim. Kam pritur tërë ditën... Kurrkush nuk ka ardhur me pa as ngjarjen, as asgjë. Të nesërmen e kam bërë me shkrim dhe kam pritur tërë ditën, prapë nuk kanë dalë”, ka thënë ky qytetar.
Në vlerësimin e tij, shtëpia është dëmtuar shkaku i hapjes së bazamentit për objektin shumëkatësh.
“Kur kam hyrë brenda i kam parë plasaritjet mu në atë vendin ku është bërë baseni. I kam parë plasaritjet e shtëpisë dhe tash nuk po di kujt t’i drejtohem. Nuk më lëshojnë me shkrim asgjë”, është ankuar Sokoli. “Iu kam drejtuar edhe Inspeksionit, Policisë, Drejtorisë së Urbanizmit atje. Vetëm ai i planeve më ka thënë që me leje është, puna vazhdon. Kam pyetur si vazhdon kur kam familjarë brenda me fëmijë të vegjël, iu rrezikohet jeta. Më tha pse t’iu rrezikohet jeta? Ia shpjegova atë basenin. Ka mohuar që ka basen”.
Pretendimet për shkelje ligji në këtë rast ndërtimi janë mbështetur edhe nga eksperti i ndërtimtarisë, Selman Boçolli. Ai i ka bërë ekspertizë këtij rasti dhe ka bërë të ditur se ka shkelje të Ligjit të ndërtimit nga ana e investitorit.
“Nuk i ka respektuar ato rregullat bazë, esenciale të ndërtimit. Ka filluar hapjen e themeleve tamam te themelet e shtëpisë së fqinjit, i cili është ankuar. Po mendoj, edhe në gjykatë e ka paraqitur lëndën. Me ligj, me parimet, me traditat e me çdo gjë është e cekur edhe me ligje, që t’iu afrohesh deri te themelet duhet të merret pëlqimi nga fqinjët, nga pronari i shtëpisë që është”, ka thënë Buçolli. “Kur nuk është me pëlqim, duhet më së paku 3 me 1 të jetë proporcioni se në qoftë se në 3 metra shkon objekti lartë, një metër duhet të ikë nga kufiri”.
Por, autoritetet komunale në Prishtinë thonë se investitori ishte pajisur me leje.
Në Drejtorinë e Inspektoratit kanë pranuar se ka pasur edhe parregullsi gjatë punës nga ana e investitorit që është duke ngritur objektin shumëkatësh.
Sipas një përgjigjeje me shkrim që e ka dhënë kjo drejtori, hapja e gropës ndërtimore është sipas projektit të miratuar nga Drejtoria e Urbanizmit, si dhe lejes ndërtimore të lëshuar nga po kjo drejtori. Në të është theksuar se gjatë kontrollit inspektues është vërejtur se investitori nuk i kishte marrë të gjitha masat e sigurisë në vendpunishte. Prandaj, i ishte shqiptuar gjobë.
“Për mosmarrjen e këtyre masave, investitori është gjobitur dhe është detyruar që të marrë masat e sigurisë në vendpunishte, çfarë edhe e ka bërë menjëherë”, thuhet në përgjigje. “Është bërë rrethoja për sigurimin e vendpunishtes, pastaj është bërë diafragma për sigurimin e gropës ndërtimore, e tek pastaj ka filluar mihja e bodrumeve, dhe gjendja e punishtes është konform projektit të miratuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe dokumentacionit teknik, si pjesë përbërëse e lejes ndërtimore”.
Në Drejtorinë e Urbanizmit kanë thënë se objekti ka leje për ndërtim dhe se para se të pajisej me të, përmes lajmërimeve u është dhënë hapësirë të gjithë banorëve për ankesë, por se askush nuk ishte ankuar.
Megjithëkëtë, kanë thënë se ankesa ishin dhënë pas nisjes së punimeve.
“Pas pajisjes me leje ndërtimore, në zyrën e Drejtorisë, disa fqinjë të rrethinës (disa prej të cilëve kanë probleme pronësore të pazgjidhura) janë interesuar, të cilëve kjo drejtori u ka dhënë sqarimet e duhura lidhur me lejen e lëshuar, kriteret e planit rregullues dhe për mundësitë e realizimit të ndërtimit në parcelat e tyre, sipas kritereve të planit rregullues, pas rregullimit të çështjeve pronësore juridike dhe parashtrimit të kërkesës për kushte dhe leje ndërtimore”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë.
Informacione në linjë me ato që kanë ofruar të dyja drejtoritë e Komunës së Prishtinës ka dhënë edhe Jeton Grajqevci, njëri nga përfaqësuesit e kompanisë, investitor në objektin banesor. Ai ka thënë se është tentuar disa herë që të kontaktohet me fqinjin dhe për t’i ofruar marrëveshje, por thotë se përgjigjja ka qenë negative.
“Fqinjët zakonisht kemi shkuar e i kemi informuar edhe atë personin në fjalë, edhe atë e kemi informuar, pastaj domethënë kur ka ardhur (në Kosovë v.j.) ky zotëria i kemi bërë prapë ftesë, të vijë dhe t’i bashkëngjitet projektit tonë, por nuk është pajtuar”, thotë Grajqevci. “Tash aty kemi një problem tjetër nga ai fqinji që duhet të na lirojë një pjesë që objekti i tij del në parcelë tonën”.
Por këto pretendime i ka mohuar Kadri Sokoli, pronar i shtëpisë për të cilën thotë të jetë çarë me të nisur bodrumi i objektit shumëkatësh. Ai ka thënë të jetë sulmuar edhe fizikisht, gjatë një përpjekjeje për komunikim.
Sulmin nuk e ka mohuar as përfaqësuesi i kompanisë investitore, por ka thënë se është çështje personale mes rojtarit të vendpunishtes dhe Kadri Sokolit.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Policinë Rajonale të Prishtinës, për të mësuar më shumë detaje rreth rastit, por deri në kohën e publikimit të raportit ka munguar përgjigjja.