“Po kërkojmë që të gjithë së bashku t’i parandalojmë të shtënat festive. Mendoj që ato nuk e kanë vendin në ahengje, në gëzime e në dasmat tona. Dhe shpresojmë që edhe ju, si mërgatë, të na ndihmoni të vetëdijesojmë njëri-tjetrin”, ka thënë koordinatori nacional për armët e vogla dhe të lehta, njëherësh zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, gjatë aktivitetit të së martës
Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) e kanë kërkuar bashkëpunimin e mërgimtarëve për parandalimin e përdorimit të armëve gjatë festave familjare, nëpërmjet fushatës “Festo me zemër, jo me armë”, të zhvilluar të martën në pikëkalimin kufitar në Merdar.
Në kuadër të kësaj fushate, koordinatori nacional për armët e vogla dhe të lehta, njëherësh zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, u ka shpërndarë mërgimtarëve fletushka informuese për pasojat që i prodhon përdorimi i armëve.
“Po kërkojmë që të gjithë së bashku t’i parandalojmë të shtënat festive. Mendoj që ato nuk e kanë vendin në ahengje, në gëzime e në dasmat tona. Dhe shpresojmë që edhe ju, si mërgatë, të na ndihmoni të vetëdijesojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Gashani gjatë aktivitetit të së martës.
Gashani ka njoftuar po ashtu se fushata kundër të shtënave festive ka filluar më herët me anë të aktiviteteve të zhvilluara nëpër shkolla, në këshilla komunale për siguri në bashkësi, në këshilla lokale dhe në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.
“Qëllimi ynë është të parandalojmë të shtënat festive, duke informuar evetëdijesuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të shtënat festive së pari janë vepra penale, janë të dënueshme me ligj dhe Policia e Kosovës i ndjek ato pa asnjë kompromis. Pastaj dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin se të shtënat festive janë shenjë të së kaluarës, shenjë e primitivizmit dhe si të tilla duhet të dënohen e duhet të parandalohen”, ka theksuar ai.
E Zylfije Dema, drejtoreshë e Policisë në bashkësi dhe parandalim, ka potencuar se të shtënat festive përbëjnë vepra të kundërligjshme dhe ka paralajmëruar dënimin e atyre që i aplikojnë.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që të ndërgjegjësohen. Gëzimin dhe harenë gjatë festave ta shprehin me zemër, me mirësjellje e jo me të shtëna me armë”.
Fushata “Festo me zemër, jo me armë” është mbështetur edhe nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP. E mërgimtarët që të martën e kanë frekuentuar pikëkalimin kufitar në Merdar, e kanë mirëpritur këtë ndërmarrje.