Arbëri

Mërgimtarët ankohen për kaosin në rrugët e Pejës

Kolonat e gjata dhe lëvizja e avashtë nëpër rrugët e Pejës janë për çdo verë pjesë e pandashme e pushimeve të mërgimtarëve.

E gjendja, sipas mërgimtarëve, është rënduar edhe më shumë, pasi që kolona tani nuk ka vetëm në rrugën kryesore të qytetit, por në pothuajse të gjitha rrugët.

“S’e kam besu kështu, që është aq tollovi e madhe që nuk mundesh me kalu. Që sa jemi tu mundu me shku deri në shtëpi, katastrofë”, thotë Liza Ramosaj mërgimtare nga Gjermania.

Ankesat e njëjta dëgjoheshin edhe nga mërgimtarët e tjerë të ngujuar në kolonat e gjata. E ato nuk janë diçka e re për Komunën, që ende nuk ka gjetur zgjidhje.

“Po, nuk është çaq e thjeshtë me u zgjidh shumë shpejt kjo. Duhet m’u parapa, me u projektua, m’u planifikua, me ec tutje. Nuk është diçka që është projekt i vogël. Duhet prej ekspertëve të kësaj fushe m’u kry projekti. Mirëpo unë nuk them që është shumë larg fillimi i këtij projekti”, tha Xhevahire Çeku-Kelmendi, drejtoreshë e Shërbimeve Publike.

Kritika ndaj Komunës ka edhe shoqëria civile.

“Faktikisht nuk është punuar në formën e drejtpërdrejtë që me u zgjidhë ky problem i vazhdueshëm i cili është ende. Kjo është një lloj neglizhence ose ngadalësim i disa punëve që do të duhej të kryheshin shumë më herët”, thotë Veton Mujaj, drejtor i OJQ-së “Syri i Vizionit” në Pejë.

Vitin e kaluar Komuna e Pejës kishte tentuar me një projekt së paku ta zgjeronte për një shirit rrugën prej rreth-rrotullimit te policia e deri te udhëkryqi që ndan rrugët për qendër dhe spital, por projekti ishte kundërshtuar nga banorët që jetojnë përgjatë asaj rruge.

Kurse javën e kaluar, për të çliruar sado pak ngufatjen e rrugëve nga automjetet në qendër të qytetit, Komuna ka hapur oborret e katër shkollave për parkingje publike falas për mërgimtarë.

Por, përveç oborrit të njërës shkollë, të tjerat nuk janë fare duke u shfrytëzuar, për shkak të largësisë nga qendra e qytetit.