Arbëri

Merezhko: Kosova, një prej dy pikave potenciale të ndezjes në Ballkan

“Presidenti ynë gjithmonë kur thotë diçka, këtë e di me siguri. Kjo informatë mund të jetë pranuar nga burimet e tilla, si shërbimi ynë i inteligjencës, përfshirë inteligjencën ushtarake, si dhe informacione nga partnerët tanë”, tha në një intervistë për KOHËN deputeti ukrainas, Olleksandër Merezhko, tek komentoi deklaratën e Zelenskyt për mësymjen e Rusisë për të nxitur luftë në Ballkan. “Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, mund të shohim dy pika potenciale të ndezjes, deri më tani. Si e para, Kosova, pjesa veriore e Kosovës”

Kosova mund të jetë një prej dy pikave potenciale për ndezjen e një konflikti, të nxitur nga Rusia, në Ballkanin Perëndimor, ka thënë deputeti i Ukrainës, Oleksandër Merezhko.

Dy ditë pas paralajmërimit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, se Rusia po planifikon ta nisë një luftë në Ballkan, Merezhko në një intervistë për KOHËN shprehu besimin se informata është marrë nga inteligjenca ushtarake. Sipas tij, vendet më të rrezikuara janë Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.

“Putini do t’i përdorë që të dy situatat, ngase është i dëshpëruar, se po e humb luftën kundër Ukrainës dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur, duke i përdorur satelitët e tij në Ballkan, përfshirë, mjerisht, satelitët në Serbi. Ai do të bëjë çmos për t’i minuar paqen dhe stabilitetin dhe natyrisht, edhe një tjetër luftë në Ballkan”, ka thënë ky deputet ukrainas, i cili është edhe jurist i çështjeve ndërkombëtare.

Në këtë intervistë, Merezhko ka thënë se Kievi zyrtar e di që Serbia është vënë në krah e ndihmë të Rusisë, e po kështu se Kosova është rreshtuar me Perëndimin, si me dënimin e agresionit dhe sanksionet kundër Rusisë, e po ashtu edhe me ndihmën ndaj Ukrainës.

Po kështu ka treguar se si ka ndryshuar perceptimi i ukrainasve për Kosovën dhe i është përgjigjur pyetjes për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Ukraina.

KOHA: Dy ditë më parë dëgjuam presidentin ukrainas, z. Zelensky, të thotë se, bazuar në informatat që ka, Rusia synon të nxisë luftë në Ballkanin Perëndimor. Sa të besueshme janë këto informata dhe sa serioz është rreziku për përhapje të luftës?

Merezhko: Jam i sigurt se ky informacion është i besueshëm, ani se presidenti ynë nuk i ka shpalosur hollësitë, nuk e ka përmendur një vend të veçantë dhe nuk ka treguar se cili është burimi i kësaj informate. Por presidenti ynë gjithmonë kur thotë diçka, këtë e di me siguri. Mund të supozoj se kjo informatë mund të jetë pranuar nga burimet e tilla, si shërbimi ynë i inteligjencës, përfshirë inteligjencën ushtarake, si dhe informacione nga partnerët tanë. Dhe është shumë e logjikshme, ngase strategjia e Rusisë tani është që të bëjë krejt çfarë është e mundur për ta larguar vëmendjen nga agresioni rus kundër Ukrainës. Dhe ne mund të shohim se Rusia është shumë aktive në këtë mënyrë të sajën përçarëse për t’i minuar paqen dhe stabilitetin në botë, në rajonet si Lindja e Mesme, për shembull. I eksploaton këto konflikte e madje edhe i nxit ato në Lindjen e Mesme. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, mund të shohim dy pika potenciale të ndezjes, deri më tani. Si e para, Kosova, pjesa veriore e Kosovës dhe për aq sa e dimë, Serbia së fundi ka akumuluar forca masive pranë kufirit me Kosovën, gjë kjo që na kujton në atë që Rusia ka bërë përpara okupimit me përmasa të plota. Dhe pika e dytë potenciale e ndezjes në Ballkan është Bosnjë-Hercegovina. Andaj unë supozoj se Putini dhe ky është supozim i imi personal, gjykim personal i imi, se Putini do t’i përdorë që të dy situatat, ngase është i dëshpëruar se po e humb luftën kundër Ukrainës dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur, duke i përdorur satelitët e tij në Ballkan, përfshirë mjerisht satelitët në Serbi. Ai do të bëjë çmos për t’i minuar paqen dhe stabilitetin dhe natyrisht edhe një tjetër luftë në Ballkan.

KOHA: Si e vlerësoni rolin e Serbisë në rajon, në kontekst të zbatimit të qëllimeve ruse?

Merezhko: Është shumë shqetësuese ajo që po ndodh, ngase, prej asaj që po shohim, e që mua personalisht ma kujton natën e agresionit rus më 2014. Ma kujton provokimin nga Rusia, ma kujton okupimin e maskuar në Krime me aneksimin pasues të Krimesë, okupimin rus të pjesës lindore të Ukrainës... krejt kjo që po ndodh përreth Kosovës, e dini, rikthen kujtime, por ky është përfundim i imi personal. Ne po shohim se Serbia nuk do të zbatojë sanksione ndaj Rusisë. Vuçiqi, që për mua është një turp i madh që e takoi Putinin në Kinë dhe shtrëngoi duart me të, e dini se kjo i bie sikur të shtrëngoni duar me Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për mua kjo është plotësisht e papranueshme dhe nënkupton se Vuçiqi nuk është në anën e Evropës, nuk është në anën e shteteve demokratike, se është në anën e Putinit, kështu duket e gjithë kjo. Është një turp i madh për mua. Një tjetër zhvillim shqetësues e turpërues është raportimi i fundit lidhur me faktin se serbët po i dërgojnë Rusisë mallra të sanksionuara, të cilat mund të përdoren nga rusët kundër Ukrainës, në luftë. Një raportim i tillë është publikuar në ueb faqen Radio Liberty. Andaj, këto janë zhvillime shumë shqetësuese dhe sinjalizojnë, nëse merret në kontekstin e përgjithshëm, se Serbia mjerisht duket që, sipas meje, shtiret se po balancon midis Lindjes, midis Rusisë. Në njërën anë, Serbia voton në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në favor të rezolutës që e mbështet Ukrainën, por këtë po e bën jo për Ukrainën, po e bën për veten, për vetë qëllimet e saja politike. Por ajo që po e shohim në realitet, le të përballemi me realitetin, është se Serbia dhe shumica e njerëzve në Serbi vështirë se ndonjëherë do të bëhen miq të Ukrainës, ndryshe prej Kosovës. Ajo që po shohim është se shumica e popullsisë në Serbi po e mbështet Rusinë, qytetarët serbë po marrin pjesë në ushtrinë ruse, në agresionin kundër Ukrainës. Ne të gjithë po e shohim këtë dhe nuk mund t’i anashkalojmë këto fakte, janë tepër të dukshme. Dhe na tregojnë shumë për qëndrimin e vërtetë të Serbisë.

KOHA: Sa kanë ndryshuar raportet ndërmjet Ukrainës dhe Serbisë, pas pozicionit që ky shtet mbajti prej që nisi agresioni rus?

Merezhko: Për mua dhe për shumë ukrainas ka qenë moment i së vërtetës kur e pamë se cilët janë miqtë tanë të përnjëmendtë dhe cilët nuk janë, ku janë miqtë e armikut tonë, të Rusisë, kush janë aleatët e Putinit dhe mjerisht nuk mund të them se Serbia është mike e Ukrainës. Serbia më tepër duket si aleate e Putinit, mjerisht. Mund të shohim një dallim të jashtëzakonshëm nëse i krahasojmë Serbinë dhe Kosovën, këtë dallim e shohim. Kosova ka zbatuar sanksione kundër Rusisë. Parlamenti i Kosovës ka miratuar një rezolutë në mbështetje të Ukrainës. Populli i Kosovës, me një entuziazëm të madh, e mbështetë Ukrainën dhe mund ta shohim këtë. Kosova dëshiron të bëhet mike e jona. Njerëzit që jetojnë në Kosovë e shprehin në mënyra të ndryshme solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për Ukrainën. Po flas veç për veten natyrisht, por ne nuk mund ta anashkalojmë këtë dhe ne do të duhej të ishim miq me ata që na mbështesin në kohë të vështira dhe me ata që duan të jenë miqtë tanë. Ndryshe prej Kosovës, shohim sjellje ndryshe faktuale nga Serbia dhe kjo është e dukshme, e këtë gjë, natyrisht, populli ukrainas e sheh, i sheh të gjitha. Dhe, mund të them se ka një tendencë në rritje mes ukrainasve për ta çmuar atë që Kosova po e bën për Ukrainën, ndërsa e shohim që Serbia po sillet sikurse një mik i Putinit, i Rusisë dhe si aleate e Rusisë. Natyrisht se populli ukrainas nxjerr përfundime bazuar në këto fakte.

KOHA: Krahas kësaj, ky pozicion i Serbisë a e ka ndryshuar qëndrimin e Ukrainës në raport me njohjen e Kosovës? Potencialisht, kur mund të pritet njohja nga Ukraina?

Merezhko: Është kjo një çështje e ndërlikuar, ngase, bazuar në Kushtetutën tonë, politikat e jashtme janë prerogativë e presidentit dhe presidenti, si dhe ministri i Punëve të Jashtme luajnë rol kyç. Zyrtarisht, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ukraina në momentin aktual nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe nuk e di... Po, po, pa dyshim. E dini, unë jam jurist i çështjeve ndërkombëtare dhe e di se ka lloje të ndryshme të njohjes. Ka njohje de facto, de jure dhe ad-hoc, për shembull. Kur një vend mban marrëdhënie, si ato politike e tregtare, si dhe komunikon me një vend tjetër, atëherë kemi të bëjmë me njohje de facto. E vërteta është se vetë Serbia, de facto e njeh Kosovën. Nëse nuk e kam gabim, Kosova madje e ka edhe një zyrë ndërlidhëse në territorin e saj, në Beograd. Për mua, si jurist i çështjeve ndërkombëtare, kjo veçse është një shenjë e njohjes. E njohjes de facto. Mjerisht, në këtë moment, Ukraina ende nuk e ka as një zyrë ndërlidhëse dhe unë personalisht jam në favor të themelimit të një zyre të këtillë të shkëmbimit midis Kosovës dhe Ukrainës. Ka argumente të forta në favor të njohjes, porse qëndrimi ynë zyrtar mbetet i njëjtë dhe zyrtarisht ne nuk e njohim de jure Kosovën, ende. Nuk e dimë se cila do të jetë situata pas luftës, por për mua ka argumente të forta në favor të njohjes së Kosovës, porse po flas vetëm për veten.

KOHA: Mund të na i numëroni argumentet?

Merezhko: Argumentet e tilla kaq të forta janë si vijon: shumica e aleatëve tanë dhe të miqve tanë më të afërt, si Shtetet e Bashkuara, si Mbretëria e Bashkuar, e njohin Kosovën. Madje edhe Mali i Zi, i cili përherë është parë si një vend i afërt me Serbinë, e njeh Kosovën. Andaj, ky është një argument i fortë. Kemi pasur, le të themi teorikisht, diskutime lidhur me këtë dhe do të doja të thosha gjithashtu se zërat që janë në favor të njohjes së Kosovës përbrenda shoqërisë ukrainase janë duke u rritur. Njëri nga gazetarët më të shquar foli haptas në favor të njohjes së Kosovës dhe në Parlament kemi deputetë që janë mbështetës të palëkundur të njohjes së Kosovës për shkaqet që i përmenda, për atë se Kosova e ka dëshmuar veten si një mike e Ukrainës në situata të vështira. Është kjo njashtu edhe një çështje politike. E dini, a duhet të jemi mik me një shtet që dëshiron të jetë mik yni, që na mbështet, apo duhet të kemi iluzione rreth një vendi që kurrë nuk do të jetë mik yni, që përherë do të jetë mik i armikut tonë? E dini, është filozofike e në të njëjtën kohë edhe çështje praktike. Por ekziston një shqetësim, një frikë lidhur me çështjen e njohjes së Kosovës dhe mbase kjo është arsyeja përse ministri ynë i Jashtëm po heziton në këtë.

KOHA: Cili është ai, z. Merezhko?

Merezhko: Ky shqetësim ka të bëjë me integritetin territorial. Ne jemi shumë të kujdesshëm për çdo lloj shkeljeje të parimit të integritetit territorial, për shkaqe të qarta, pasi që jemi duke luftuar për integritet territorial. Dhe kjo është e rëndësishme. Ne në Ukrainë jemi të interesuar për marrëdhënie të qëndrueshme dhe stabile në Ballkan, dhe natyrisht se jemi të interesuar për marrëdhënie paqësore midis Kosovës dhe Serbisë, ngase nuk duam luftë në Ballkan, nuk e duam një tjetër pikë të ndezjes dhe të konfliktit që do të tentonte ta shpërqendronte vëmendjen nga agresioni rus. Dhe natyrisht, gjithçka që u kontribuon marrëdhënieve të mira paqësore midis Kosovës dhe Serbisë është gjë e mirë dhe ndihmon në krijimin e paqes dhe stabilitet të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në rajon.