Arbëri

Mendësia patriarkale dhe mungesa e mbështetjes institucionale, shkaqet e abortit selektiv

Në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë. Në një panel të organizuar nga Fondi për Popullsi të Kombeve të Bashkuara, është thënë se në vend praktikohet aborti selektiv pasi lindja e fëmijës vajzë shpeshherë nuk konsiderohet e barasvlershme me lindjen e djalit për shkak të mendësisë patriarkale, por edhe për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti për përkujdesjen e individit

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, aktivistët e drejtave të njeriut kanë thënë se lindja e një vajze shpeshherë nuk konsiderohet e barasvlershme me lindjen e djalit në shoqërinë kosovare. E me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë për të drejtat dhe sfidat që vajzat ballafaqohen në tërë botën, Kombet e Bashkuara e shënojnë këtë ditë që nga viti 2011.

Në panelin diskutues të organizuar nga Fondi për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në partneritet me IPKO Foundation, është thënë se mendësia patriarkale është një ndër shkaktarët e abortit selektiv gjinor në vend.

“Paç fat herën tjetër” e “uroj që vajza do ta përkundë djalin”..., janë disa nga “urimet” që ende përdoren me rastin e lindjes së vajzës në shoqërinë kosovare, duke i etiketuar ato si qytetarë të dorës së dytë në familjen e tyre.

Dukuria e cila prish raportin natyror të lindjeve, sipas profesoreshës së ekonomisë, Venera Demukaj, shkaktohet edhe për shkak të mungesës së një sistemimi institucional për përkujdesjen e individit.

“Jetesa në familje patriarkale, që i bie vajza kur martohet shkon te burri dhe ajo nuk kujdeset për prindërit por për vjehrrin dhe vjehrrën”, ka thënë Demukaj. “Një shoqëri që nuk ka sisteme të forta pensionale dhe nuk ka rrjet që kur të pensionohesh mundesh me u mbështetë dhe atëherë janë djemtë dhe rejat që kujdesen për ty, shtyn intervenimin në abortin selektiv”, ka thënë ajo.

Leonida Molliqaj, drejtoreshë në organizatën që mbron dhe promovon të drejta të barabarta “Qika”, ka thënë se gratë që bëjnë këtë intervenim janë viktima të dhunës psikike nga partneri apo familja.

“Gratë kanë shumë pak autonomi mbi trupin e tyre, dëshirat apo preferencat mbi gjininë në familje, por edhe numri i fëmijëve në kohën e riprodhimit janë të përcaktuara nga familja”, ka thënë Molliqaj.

E, shefja e Zyrës së UNFPA në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, ka thënë se ndarja e trashëgimisë familjare në mënyrë jo të barabartë mbron traditat dhe zakonet që thellojnë një shoqëri në përzgjedhjen e gjinisë së fëmijës në fetus.

“Kur pasuria familjare nuk ndahet në mënyrë të barabartë e vazhdon mosnjohjen e vlerave të vajzës në familje. Kjo bën që investimi në djem të jetë më i madh dhe të shihen më superiorë. Një praktikë e tillë nuk ndihmon në ndryshimin e mentalitetit”, ka thënë ajo.

Raporti natyror i lindjeve është 100 vajza në 105 djem. Drejtori për statistika të popullsisë në Agjenci të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka treguar se në disa komuna shkalla e gjinisë është rritur 108 djem në 100 vajza, që është një ndër shenjat identifikuese të abortit selektiv.

“Është interesant në aspektin regjional, për shembull dy regjionet Peja dhe Gjakova, edhe pse janë shumë afër në aspektin fizik, kështu shkalla e maskulitetit, Gjakova, është shumë më shumë, arrin mbi mesataren e Kosovës, menjëherë Peja që është ngjitur me të e ka raportin shumë të vogël se mesatarja e Kosovës”, ka thënë Kastrati, i cili theksoi se duhet të bëhen hulumtime në këto regjione.

Thirrje për ndalim të kryerjes së abortit selektiv ka bërë kryeministri Albin Kurti.

“’I duhet shtëpisë një djalë’ është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë, sepse ‘kush ka vajzën botën ka’”, ka thënë ai.

Në Kosovë mungojnë të dhënat specifike të llojeve të abortit për shkak të mungesës së informacioneve nga klinikat private. Të dhënat e vetme janë nga spitalet e shtetit që, sipas Ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vitit të shkuar janë kryer 1070 aborte.

“Për këtë ditë jemi duke diskutuar një temë sensitive dhe fatkeqësisht ende aktuale për ne, abortin selektiv. Sa i përket raportit ende nuk kemi të dhënat e sakta pasi pa sistem informativ shëndetësor ky abort shpeshherë kryhet në mënyrë jo të duhur. Nga të dhënat që i kemi në vitin 2022, janë kryer 1070 aborte”, ka thënë ai.

Ndërprerja e shtatzënisë me motiv të përzgjedhjes se gjinisë së frytit paraqet vepër penale me Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë.

“Ndërprerja e shtatzënësisë për arsye kriminologjike mund të bëhet gjer në javën e njëzetedytë të shtatzënësisë dhe lindja e indukuar edhe më vonë me rekomandim mjekësor dhe pas konfirmimit nga institucionet kompetente të cilat janë të autorizuara të përcaktojnë nëse shtatzënësia është pasojë prej njërës nga veprat penale në vijim”, shkruan në legjislacion, e specifikohet ndalimi për kryerjen e abortit selektiv. “Ndërprerja e shtatzënisë me motiv të përzgjedhjes se gjinisë së frytit është e ndaluar”, shkruan në nenin 14.

Aborti selektiv është dukuri në të gjithë botën. Sipas të dhënave të UNFPA, Azerbajxhani prin për përzgjedhjen e gjinisë, pastaj ndiqet nga Armenia dhe Gjeorgjia.

Sipas raportit të UNFPA të vitit 2020, për praktikat që i dëmtojnë gratë e vajzat dhe që cenojnë barazinë, është thënë se në të gjithë botën 142 milionë vajza mungojnë si rezultat i preferencës për djalin, neverisë për vajzën dhe përzgjedhjes së gjinisë gjatë shtatzënisë. Këto vajza kanë qenë të padëshiruara, të neglizhuara, të keqtrajtuara ose të kequshqyera – të privuara nga kujdesi që u duhej për të mbijetuar.