Arbëri

Menaxhmenti largon nga oborri i një shkolle në Ferizaj shatërvanin e punuar nga nxënësit

Menaxhmenti i shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj ka larguar nga oborri një shatërvan, për projektimin e të cilit nxënësit patën fituar mbështetje financiare prej pesë mijë eurosh. Veprimi nxiti pakënaqësi te nxënësit e mësimdhënësit e përfshirë në ndërtimin e tij. E në Drejtorinë e shkollës thanë se largimi ndodhi pas dëmtimit të tij, si pjesë e zhvendosjes së paraparë në kuadër të një projekti tjetër

Pa dhënë arsye, menaxhmenti i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj e ka larguar gjatë pushimit vjeshtor një shatërvan të ngritur në oborr, që ishte pjesë e projektit të nxënësve për rregullimin e hapësirave gjelbëruese.

Projekti që përfshinte edhe mbjelljen e drunjve dekorativë dhe vendosjen e ulëseve dhe shportave për mbeturina, ishte mbështetur me pesë mijë euro nga një organizatë zvicerane.

E ky veprim ka nxitur reagimin e nxënësve dhe të mësimdhënësve që ishin iniciatorë të hartimit të projektit.

Murtez Kurtaj, mësimdhënës i biologjisë, ka theksuar se investimet u keqmenaxhuan nga drejtuesit e shkollës.

“Në kuadër të këtij projekti kemi pasur edhe një lloj fontane e cila ka qenë në mes të oborrit, por nuk e dimë se çfarë ka ndodhur kur jemi kthyer nga pushimi vjeshtor. E kemi parë se shkolla ka ndërtuar diçka tjetër për rregullimin e kubëzave të reja dhe nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me fontanën, se ku është vendos”, ka thënë Kurtaj, që është edhe përfaqësues i “Eko klubit”.

Mësimdhënësja tjetër e biologjisë, Erjona Plepi, ka kërkuar që shatërvani të rikthehet, pasi që fondet për të i përfituan nxënësit.

“Fontana ka qenë një projekt shumë i mirë, ka qenë një projekt shumë atraktiv dhe kemi menduar se ka qenë një projekt shumë efikas për mësimdhënësit, për nxënësit dhe për të gjithë këtu, sepse uji ka vlera të shkëlqyeshme në jetën e përditshme, sepse lidhet edhe me lëndën që e kam. Pa ujë nuk ka jetë, kështu që fontana duhet të jetë pjesë e shkollës”, u shpreh Plepi.

Bajram Rexhepi, drejtor i shkollës, ka thënë se së shpejti aty do të vendoset një tjetër shatërvan, pasi që, siç u shpreh, ai i mëparshmi u dëmtua gjatë realizimit të një projekti.

“Në planifikimin të cilin e kemi bërë për rregullimin e oborrit që kërkesën e kemi pasur në DKA gati tre vjet dhe në fund kërkesa jonë e mori dritën jeshile dhe ne menduam që fontanën ta zhvendosim në një pjesë tjetër që t’ia ruajmë hapësirën më të madhe oborrit të shkollës, mirëpo gjatë bartjes së saj materiali ishte jo i mirë dhe jocilësor dhe në këtë mënyrë nuk arritëm ta zhvendosim ku është dashtë”, ka thënë drejtori i shkollës “Kuvendi i Arbërit”.

Mësimdhënësit dhe nxënësit paralajmëruan se do të iniciojnë procedurë në organet e drejtësisë, po qe se shatërvani nuk kthehet në oborrin e shkollës.