Sindikalistë të “Trepçës” dhe përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje janë takuar këtë të premte, por greva e minatorëve do të vazhdojë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit premtoi se pagat e minatorëve do të ekzekutohen nga java e ardhshme, e përfaqësues të Sindikatës thanë se tek pasi pagat të dalin mund të rinisë puna në miniera.
Pas gati 1 jave që u emërua ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti takoi përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, me të cilët diskutoi çështjen e mosekzekutimit të pagave.
Ahmeti u zotua se pagat do të ekzekutohen nga java e ardhshme.
“E kam një bindje që në fillim të javës së ardhshme të ekzekutohen pagat për minatorët në bazë të asaj se çfarë biseduam me minatorët”, ka thënë Ahmeti.
E, kryesindikalisti Ibrahim Januzi tha se deri në ekzekutimin e pagave minatorët po refuzojnë të paraqiten në vendin e tyre të punës.
“Nuk kemi asgjë konkrete përderisa nuk ka paga. Ka qenë një lutje që minatorët të fillojnë punën, mirëpo gjendja po rëndohet çdo ditë e më shumë. Minatorët ankesat më të mëdha i kanë për shkak të mungesës së marrjes së shërbimeve parësore. Pra, derisa nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete, gjendja do të vazhdojë në këtë mënyrë”, u shpreh Januzi.
Ish-drejtori i “Trepçës”, që tani është deputet i PDK-së, Ferat Shala, ia ka hedhur Qeverisë fajin për situatën në të cilën ndodhet gjiganti metalurgjik.
“Humbjet ditore në ndërmarrjen “Trepça” janë rreth 50 mijë euro. Fatkeqësisht kjo qeveri tash e 4 vjet e ka mashtruar gjithë opinionin e gjerë, me theks të veçantë i ka mashtruar minatorët, duke premtuar 70 milionë euro në një mandat, duke premtuar reformë të thellë organizative dhe menaxhuese e në esencë nuk ka bërë asnjë veprim konkret, nuk ka bërë as investime e as organizim e planifikim. Ndërmarrja është me rreth 30 milionë euro borxhe në total, që i bie se me këtë kapacitet menaxhues ajo është në prag të falimentimit”, ka thënë Shala.
Javën e kaluar Qeveria ka kërkuar që ndërmarrja “Trepça” të rrisë prodhimin dhe të hyrat e t’i ulë shpenzimet, nëse do që të mbështetet financiarisht për ta tejkaluar krizën.
KOHA ka kërkuar nga Qeveria informacione nëse do të subvencionojë “Trepçën” për t’i ekzekutuar pagat e minatorëve, por zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkaq në projeksionin e të hyrave në njësitë biznesore të ndërmarrjes, si subvencione të Qeverisë për vitin 2024 është paraqitur shuma prej 2.6 milionë eurosh. E 21 milionë euro është shuma e projektuar për t’u shpenzuar.