Në ndërmarrjen “Trepça” një pjesë e punëtorëve ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik, gjatë të cilit edhe grevuan. E menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje, një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, thotë se kjo masë u ndërmor për t’u rimëkëmbur. Premtojnë stabilitet dhe ulje të shpenzimeve
Një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, në ndërmarrjen “Trepça”, përmes një komunikate kanë thënë se masa është ndërmarrë për stabilizim dhe rimëkëmbje të ndërmarrjes.
Menaxhmenti i “Trepçës” fajin për gjendjen e rënduar financiare ua lë edhe borxheve, që, sipas tyre, janë në vlerë mbi 3 milionë euro.
“Vendimi parasheh mobilizimin e të gjitha kapaciteteve për të stabilizuar gjendjen operative dhe financiare të ndërmarrjes. Gjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërmarrja synon rritjen e prodhimit dhe kufizimin e shpenzimeve sipas një plani të veprimit të miratuar nga Bordi Mbikëqyrës. Për këtë qëllim janë intensifikuar punët në minierë dhe flotacion dhe janë pezulluar pushimet vjetore për muajt shtator–nëntor”, u tha nga menaxhmenti.
E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi për nënshkrimin e një udhëzimi administrativ që, sipas tij, do ta ndihmojë ndërmarrjen për të rritur prodhimin.
“Me kërkesë të ‘Trepçës’, me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stantërgut, sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes të cilit mundësohet trajnimi dhe certifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për ‘Trepçën’”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka falënderuar ministrin Sveçla dhe tha se kjo mundëson rritjen e prodhimit në “Trepçë”.
Punëtorë me të cilët bisedoi KOHA gjatë së mërkurës, u shprehën të pakënaqur me vendimin për t’ua pezulluar pushimet në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme.
Sipas tyre, problemi qëndron te kushtet e dobëta të punës dhe te mungesa e kuadrove profesionale dhe të investimet.
Në flotacionin në Stantërg, minatorët u shprehën se po punojnë me ritëm normal të punës, ndonëse thanë se ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik.
Në 4 vjetët e fundit “Trepça” ka marrë infuzione nga ekzekutivi në vlerë afro 30 milionë euro.
Në këtë ndërmarrje janë të punësuar afro 1200 punëtorë e paga mesatare është 740 euro.