Komisioni për mbikëqyrjen e Financave ka shqyrtuar raportin e Auditimit për RTK-në për vitin 2022. Anëtarët e komisionit kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e mediumit publik për lidhjen e kontratave një burimore. Sqarimet për skemën programore që u kërkuan nga deputetët nxitën përplasje mes tyre e nënkryetares së bordit
Lidhja e kontratave një burimore, blerja e shërbimeve duke anashkaluar procedurat e prokurimit e pronësinë e padefinuar të objekteve të RTK-së, ishin disa nga vërejtjet që iu përmenden drejtuesve të RTK-së, në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke u bazuar në raportin e auditorit për vitin 2022 përmendi si problematikë edhe avancimet në pozita pa respektuar rregulloret.
“Çështja e kontratave njëburimore është problematike, është bë epidemi tanimë viteve të fundit në të gjitha organizatat buxhetore, nuk jeni të vetmit, mirëpo ne e dimë që ajo e shkatërron konkurrencën e drejtë. Edhe madje të gjitha palët të cilat kanë pretenduar që mund të ofrojnë shërbime të tilla e konsiderojnë me të drejtë që u është bërë e padrejtë gjatë këtij procesi. Çështjet për ne që janë problematike janë çështjet e kontratave njëburimore dhe gjithashtu avancimet d.m.th. pa i respektuar rregullat e avancimit”, ka thënë Bajrami.
Lidhjen e kontratave një burimore e ka arsyetuar drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, duke thënë se ato bëhen vetëm për shërbime të programit.
“Nuk mund t’i thuash një kompanie ndërkombëtare që të hyjë në tender ndërkombëtar të lajmeve. Sepse aty mund të kesh një agjenci ruse të lajmeve, kineze e çfarëdo tjetër e cila megjithatë, e devijon lajmin. Prandaj në procese të tilla tenderuese, shumë qartë Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian e ka udhëzimin e qartë për të gjithë transmetuesit publikë kudo që mund të shkojnë me procedura njëburimore”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Një kontratë e tillë ishte edhe ajo për transmetimin e lojërave olimpike dimërore “Pekini 2022”, si dhe kontrata me agjencinë e lajmeve “Reuters”, për të cilat deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është e papranueshme një planifikim i tillë.
“Sa u përket lojërave olimpike është e pakuptimtë një menaxhment, pavarësisht kush u kanë të mos planifikohet, se lojërat olimpike dihet 4 vjet më herët, d.m.th. nuk është diçka e jashtëzakonshme me thanë që na morëm vesh qe një javë që kanë me u mbajt. Kjo është e papranueshme. E thatë ju që te procedura e prokurimit te ‘Reuters’ atje për atje që keni zhvillu procedurën... Nuk është vetëm një agjencinë, unë e di që ka edhe agjenci pro ruse, kineze etj., por ka edhe të tjera që janë pro Kosovës. P.sh., për me i heqë dilemat edhe nëse keni një procedurë të negociueshme, p.sh. përveç Reuters është AP-ja, që ka komunikuar e bashkëpunuar me RTK në të kaluarën. Çka bëhet? Kur komunikohet vetëm me një operator, mundësia për dyshim është e mundshme”, ka thënë Beqaj.
Ahmetxhekaj ka dhënë se në vitin 2021 ka pasur një ofertë nga “Associated Press” dhe se çmimi ka qenë më i lartë se i “Reuters”, ndërkaq dha arsyetimin e njëjtë për këtë lloj procedure të prokurimit edhe sa u përket Lojërave Olimpike.
“Kontrata sa i përket çështjes së Lojërave Olimpike, ka qenë tri ditë pasi jam bërë ushtrues detyre, jemi përballur me atë se a t’i kemi, apo mos t’i marrim Lojërat Olimpike, ku për herë të parë Kosova merrte pjesë në Kinë. Dhe në qoftë se ne do të prisnim për me hy në tender apo edhe për të shkuar në procedurë njëburimore, thjeshtë humbnin të drejtat. Negociata RTK-ja kishte 7 muaj që i kishte bë më herët. Pra thjeshtë, nuk ka shkuar në finale si procedurë një burimore, por megjithatë të gjitha procedurat e tjera janë përcjellë. Dhe këtë dhe zyra e Auditorit e di shumë mirë”, ka thënë Ahmetxhekaj. “Pra ne kemi qenë në një situatë ku si transmetues publik kemi mund t’i humbin të drejtat dhe publiku nuk ka faj që ndodhin ndryshime në menaxhment e bord, por do me i pa atletët e Kosovës duke valëvitë flamurin e Kosovës në Pekin”.
Deputeti i LVV-së, Visar Korenica, përmendi dukurinë e pagesës së punëtorëve të RTK-së pa shkuar në punë, e që sipas tij, ende po vazhdon të ndodh, ndonëse më pak se në të kaluarën. Ai ka përmendur parregullsi edhe për një kontratë të prokurimit.
“Kontrata për përgatitje ne pasqyrave financiare, ku vazhdimisht për pesë vite rresht ka përfituar një OE dhe ai është individual, ndërsa keni përjashtuar një OE që është person juridik ku shuma për të cilën keni paguar është dyfishi që OE tjetër ka ofertuar. Pra po flasim për shuma të ndryshme, 2 mijë e 800 euro është shuma që ka fituar subjekti-individi kurse nuk i është dhënë kontrata kompanisë X. Konsideroj që këtu keni bë një lëshim sa i përket mbikëqyrjes se kush po përfiton nga ky tender. Dhe konsideroj që kjo është bë e qëllimshme që t’i jepet përparësi një individi karshi një tenderi që do të duhej të ishte publik me të gjitha kriteret duke mos ia përshtat këtë lloj shërbimi një individit. Unë i kam marr informatat nga RTK dhe e kam pa vetë”, ka thënë Korenica.
E deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka kërkuar sqarime lidhur me kërkesat për largim të një emisioni me pretendimin se autori ka nënshkruar peticionin për shkarkim të kryetarit të bordit. Kjo deklaratë nxiti debat.
“Deshta me i kërku kryetarit të bordit se ajo që kam thënë se ti po u ikën komisioneve është shumë e vërtetë, sepse kur e ka pa një peticion prej 360 punëtorëve me nënshkrime, normal që ke ikë. Ka pasur edhe anëtar të bordit që e kanë shkruar. Mundesh me u zgërdhi sa të duash por… A është anëtar i bordit të RTK-së që ka nënshkruar peticionin dhe ti po i hakmerresh. A është e vërtetë që ti ke fol në mbledhje të bordit për heqjen e emisionit të udhëhequr nga Diversi, që është një grua që ka nënshkruar këtë peticion për të shkarkuar. Pse nuk ka ndodhur me një emision tjetër”, ka thënë Bytyqi.
Lidhur me këtë, nënkryetarja e bordit, Arta Berisha, ka theksuar se më nuk lejohen ndërhyrjet politike në përmbajtjen programore të RTK-së, ndonëse nuk përmendi emra specifikisht, veçse ka thënë se kështu është raportuar në Raport të Progresit.
“Ka kaluar koha dhe besoj që duhet të kalojë koha kur deputetët të caktuar vendosin ose kërkojnë të vendosin për programe të caktuara në RTK. Programi është përgjegjësi editoriale ekskluzivisht e stafit të RTK-së. Një program i caktuar vazhdon ose jo bazuar në realizimin e skemës programore siç është miratuar në bord. Programe të caktuara mund të largohen ose mund të vazhdohen në qoftë se ato zbatohen në tërësi sipas skemës programore të propozuar nga menaxhmeti dhe të aprovuar në bord. Në qoftë se një program i caktuar çfarëdo qoftë apo i kujtdo qoftë nuk realizohet sipas skemës, atëherë ai program nuk mund të ec përpara”, ka thënë Berisha.
Për këtë deklaratë të Berishës, reagoi deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili i kërkoi asaj të kërkoj falje për njollosje e etiketim të deputetëve.
“Cilët janë ata deputetë që the që ka deputetë të caktuar. Po qysh thu ashtu kur nuk i din. Ke ardh në komision edhe mos etiketo deputetë kur nuk i thua me emra. Thuaj me emra, cilët janë ata deputetë të lutem. Unë kërkoj që kjo të kërkoj falje. Nuk mundemi me vazhdu kur ka tendenca me njollosë deputetët. Ka mundur me thanë deputetja e jo deputetë të caktuar”, ka thënë Qalaj. Mbledhja e komisionit u ndërprerë për shkak të seancës së Kuvendit, mbajtja e së cilës ishte caktuar po për të premten.