Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë diskutuar të mërkurën për përgatitjet, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
Në takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, morën pjesë koordinatorja nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi dhe koordinatorja nga ky institucion, Fatime Dërmaku dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zenel Leku.
Radoniqi, sipas një komunikate të KQZ-së, ka vlerësuar në takim se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në krijimin e kushteve që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
“Drejtues dhe përfaqësuesit e institucioneve treguan për planet e tyre lidhur me angazhimin në ditën e zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e porcesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.