Arbëri

Mehmeti: Që nga fillimi i vitit janë arrestuar 552 persona për krim të organizuar e terrorizëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka folur për rastet për krim të organizuar dhe terrorizëm që nga fillimi i vitit.

Ai ka thënë se për gjashtë muaj është punuar në hetimin e 801 rasteve për krimin e organizuar dhe terrorizmin.

“Në këto raste janë hetuar 891 persona pjesëmarrës kurse janë arrestuar 552 persona”.

Ai tutje ka folur edhe për numrin e shtuar të aksidenteve në trafik.

Ai ka thënë se një prej faktorëve në rritjen e numrit të aksidenteve është koha e gjatë e qëndrimit në izolim.

Mehmeti ka shtuar se Policia është duke operuar me plane operative me motoçikleta, me dron dhe njësite të tjera.

“Policia po punon ngushtë me qytetarët dhe mediat për rrezikun. Janë shtuar patrullimet, pikat e kontrollit dhe format e ndryshme të monitorimit. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë synojmë mjete që na sigurojnë shkrimin e gjobave në mënyrë digjitale”, ka thënë ai. “Kemi numër të vogël të radarëve. Jemi në procedurë të blerjes edhe të radarëve statikë dhe mobil, por edhe atyre në vetura. 7 radarë janë në regjionin e Prishtinës, por numri i tyre varion sepse ata duhet të servisohen, munden me qenë me pak dhe më shumë. Nëse shkoni në rrugën Prishtinë- Ferizaj secili që kalon andej i di pikat e kontrollit të policisë. E kemi rastin e aksidentit me katër të vdekur. Është shumë e rëndësishme digjitalizimi i trafikut".