Arbëri

Mehmeti: Për 11 raste të dhunës seksuale gjatë luftës janë ngritur aktakuza

Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka ngrehur aktakuzë në mungesë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës.

Fisnik Mehmeti, jurist në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se viktima është trajtuar dhe mbështetur vazhdimisht nga qendra.

“Është rast që është trajtuar vazhdimisht nga QKMRT, ndaj të cilit është ofruar seancë terapeutike për shërimin e plagëve që i ka marrë nga lufta. Është informuar dhe vetëdijesuar për procedurat she sfidat me të cilat mund të ballafaqohet nëse shpreh vullnetin të inicioj rastin e tij në procedura gjyqësore. Kështu ka arritur të forcohet si rast dhe të iniciojë rastin”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

 Mehmeti ka theksuar për 11 raste janë ngrehur aktakuza.  

“Numri i rasteve që janë ngritur aktakuza është 11, e numri që janë mbështetur nga organizata jonë janë rreth 40. Absolutisht mund të përfundojnë me aktakuza”.

Shumë prej rasteve të krimeve të luftës iniciohen në mungesë, megjithatë për viktimat nënkupton shumë edhe nëse kryesi nuk përballet me drejtësinë nga gjykata, ka shtuar Mehmeti.

“Nuk mund të them dekurajim, por jo një kënaqje siç e kanë pritë. Fjalët më të shpeshta që na thonë viktimat është se kur dhunohet dhe e dimë që personi i akuzuar po vendoset prapa grilave po e ndiejmë një çlirim nga ana jonë. Por, sido që të jetë është i mirëpritur se po njihet si krim që ka ndodhur ndaj tyre”, u shpreh ai.

Sipas Mehmetit, viktimat e dhunës seksuale hezitojnë ende të flasin e kjo për disa arsye.

“Kemi raste që e gëzojnë statusin si viktimë por nuk e di asnjë familjar i tyre, kemi raste që e dinë kryesin por nuk dëshirojnë t’i hapin plagë vetes, por kemi pasur arsye si brenga që nëse e denoncojmë do të dalim nëpër media dhe rasti të bëhet shumë publik”.

Mehmeti ka theksuar se ka rënie të numrit të aplikimeve për status të dhunës seksuale gjatë luftës, e rritje të refuzimeve nga ana e Komisionit qeveritar për njohjen e këtij statusi.

“Ka rënie të ehtë të numrit të aplikimeve sepse ka disa vite që ka filluar, në fillim ka qenë numër i madh. Nga ana e Komisionit qeveritar që merret me njohjen dhe identifikimin e statusit kemi pasur edhe raste të refuzimeve kohët e fundit ndoshta në nivel më të shpeshtë se më herët. Arsyet janë që nuk kanë arritur të krijojnë bindje që ngjarja traumatike ka ndodhur”, ka përfunduar ai.