Arbëri

AKR-ja kërkon rinumërim të plotë të votave në Prishtinë

Gëzim Mehmeti, kandidati i Aleancës Kosova e Re për Prishtinën, në një konferencë për media ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në këtë komunë.

Sipas tij, këto zgjedhje janë manipuluar nga individë dhe subjekte tjera politike por nuk ka përmendur emra.

"Disa individë kanë manipuluar votat, duke u bazuar në të dhënat e publikuara. Në vendvotimin 1926/E01R kemi fakte që janë manipuluar votat. Ka pas ndërhyrje në votat e kandidatëve. KQZ duhet ta kthej besimin te qytetarët. Duhet që e gjithë komuna e Prishtinës të shkojë në rinumërim sepse ka pas manipulim të votave. Do të parashtrojmë ankesë për këto shkelje. AKR-ja kërkon rinumërim të plotë të 238 vendvotimeve në komunën e Prishtinës. KQZ ka qenë korrekte por disa individë e subjekte tjera kanë pas qëllim ta dëmtojnë AKR-në. Nuk kemi pas mjaftueshëm komisionarë, për këtë edhe kanë ndodhur manipulimet. Ne jemi dëmtuar në votat për asamble", ka deklaruar Mehmeti.

Sipas të dhënave paraprake nga KQZ-ja, në 205 vendvotime të numëruara nga 238 sa janë gjithsej në kryeqytet, AKR-ja ka marrë 3.714 vota për Kuvend Komunal. Ndërsa me numërimin e 100 për qind të votave për kryetar, Mehmeti është votuar 1.582 herë.