Ligjëruesit, aktivistë e politikanë debatuan në Prizren rreth të mirave dhe të këqijave të përdorimit të rrjeteve sociale. Ani se pati qëndrime të kundërta për rolin e mediave sociale në zhvillimin apo dëmtimin e demokracisë, u arrit konsensusi se mediat sociale kanë rol pozitiv në zhvillimin e demokracisë në Kosovë
Mediat sociale, si platformë për informim dhe për komunikim, kanë ndikim pozitiv në zhvillimin e demokracisë, me gjithë mundësinë për shpërndarjen e informatave të paverifikuara apo të rreme, u tha në Kongresin Kombëtar të të Rinjve të Kosovës, mbajtur në Prizren.
Por gjatë debatit, ligjërues, aktivistë e politikanë shprehën qëndrime të kundërta për rolin e mediave sociale në zhvillimin apo dëmtimin e demokracisë.
Profesori universitar, Resul Sinani, vlerësoi se në demokracitë e së sotmes, rrjetet sociale e pamundësojnë ndaljen e shprehjes së lirë.
“Si çdo gjë tjetër, edhe rrjetet sociale janë ato që i kanë të mirat dhe të këqijat. Kryesisht të këqija kanë për politikanët, ndërsa për ne si qytetarë kanë vetëm të mira”, tha Sinani.
E Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, shprehu qëndrimin se përdorimi i moderuar i mediave sociale është i dobishëm për demokracinë.
“Nëse i përdorim në masë të caktuar, me shije në mënyrë selektive, në mënyrë kualitative gjithsesi na lehtësojnë jetën edhe e zhvillojnë demokracinë. Mirëpo në qoftë se i përdorim pa shije, pa limit, ka dëme kolaterale, e ato dëme kolaterale pastaj nuk kalojnë pa pasoja”, tha Totaj.
Burbuqe Kastrati, nga Qendra e Debatit, e ngriti nevojën për vetëdijesimin e shfrytëzuesve karshi mundësisë së shpërndarjes së informatave të pavërteta.
“Edukimi mediatik është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë aspekt, duke ditur që sa lehtë sot bëhen pre e lajmeve të rreme”, tha Kastrati.
E psikologia Erolina Morina vuri theksin te kujdesi i veçantë që duhet kushtuar shëndetit mendor të të rinjve, shkaku i efekteve negative që mund të prodhojë përdorimi i tepërt i mediave sociale.
“Nëse nuk dimë ta kontrollojmë kohën tonë, edhe nëse vazhdimisht ekspozohemi ndaj mediave, atëherë e dimë që kemi pasoja dhe ndikime negative, të cilat vijnë si pasojë e përdorimit të shpeshtë apo të mosmenaxhimit të duhur të kohës”, tha Morina.
Kongresi Kombëtar i të Rinjve të Kosovës 2023 është organizuar nga SHL-Kosova dhe CARE International, me mbështetjen e BE-së. Rekomandimet e nxjerra nga ky debat do t’i adresohen Ministrisë e Kulturës, Rinisë e Sporteve për përfshirjen e tyre në politikat publike.