Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një ceremoni të organizuar në objektin e Presidencës, medalja u nda për Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyrete Tahiri-Sylejmanin dhe Ramadan Nishori, të mbijetuar të dhunës seksuale që kanë folur publikisht për mizoritë që kanë përjetuar nga forcat serbe gjatë luftës.
Osmani vlerësoi guximin e tyre për të dëshmuar dhe për të ndarë me publikun përvojat e rënda, duke theksuar se rrëfimet e tyre janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për drejtësinë dhe të vërtetën historike të Kosovës.
“Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’ju përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë”, tha ajo.
“Duke përdorur aktin më mizor gjatë luftës, dhunimin seksual, regjimi i Millosheviqit mendoi se do të çnderonte mijëra viktima të luftës, por me guximin e tyre, të mbijetuarit u shndërruan në nderin e shtetit, nderin e kombit, NDERIN E REPUBLIKËS!” shkroi Osmani më pas në Facebook.
Nishori tha se ndihet mirë që është përkrahur nga populli.
“E përshëndes gjithë popullin tonë që më ka përkrahur këto ditë”, tha shkurt ai.
Krasniqi bëri thirrje që viktimat të flasin hapur dhe të kërkojnë drejtësi.
“Dua të falënderoj për qasjen, angazhimin. Të dashura viktima, ju lutem, ku do që jeni, ka ardhur koha të kërkojmë drejtësi. Lirojeni shpirtin që të mos ia falim Serbisë krimin që ka kryer”, tha ajo.
Tahiri-Sylejmani tha se pa drejtësi nuk ka paqe.
“Kur të kemi drejtësi, kemi paqe. Faleminderit për kurajën që na jepni”, tha ajo.