Arbëri

Me shtesën prej 100 €, Qeveria synon rritjen e formalizimit të vendeve të punës

Nëpërmjet ndihmës me nga 100 euro Qeveria synon ta luftojë edhe ekonominë joformale.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ata që punojnë në të zezë mund ta marrin shtesën nëse krijojnë marrëdhënie legale pune.

“Çfarë konsideroj që mund të bëjmë si Qeveri është në kuadër të formalizimit dhe nxitjes për formalizim që punëtorët që deklarohen për periudhën tatimore të muajit mars, t’ ju japim një mundësi në rast se vazhdojnë të jenë të formalizuar”, ka thënë Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, thotë se një nga objektivat e kësaj politike është edhe lufta ndaj informalitetit në tregun e punës.

“Edhe kjo masa e fundit që është marrë për shpërndarjen e 100 milionë eurove te qytetarët e Republikës së Kosovës besojmë që do të ndikojë në uljen e informalitetit”, ka shtuar Rrahmani.

E Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë se nëse kompanitë nuk i legalizojnë punëtorët, atëherë ato do t’i denoncojnë tek autoritetet.

“Nëse nuk i legalizojnë, atëherë ne do t’i njoftojmë institucione tona që për punëtorët e palegalizuar edhe ata obligohen që të paguajnë 100 euro për këta punëtorë dhe do të jenë të obliguar t’i legalizojnë ata”, pohoi Azemi

Qeveria e Kosovës ka vendosur që punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat, pensionistëve, përfituesve të skemave sociale dhe studentëve t’ua ndajë nga 100 euro. Kjo politikë është ndërmarrë në kohën kur Kosova po përballet me ngritje të çmimeve të produkteve esenciale.