Në kohën kur janë më shumë se 1100 pacientë me COVID-19 të hospitalizuar në spitale, e gjendja e një pjese të tyre është e rëndë, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’u paguajë shtesa punonjësve shëndetësorë të cilat nuk e kalojnë vlerën e 65 eurove për punëtorët që nuk kanë pozita menaxheriale. Situata epidemiologjike është në pikën me kritike qysh nga marsi i vitit të kaluar, e shtesat që ka vendosur t’i ndajë Qeveria janë me të ulëtat qysh nga fillimi i pandemisë. Në të kaluarën punonjësit shëndetësorë kanë marrë shtesë deri në 300 euro në muaj për shkak të situatës së ngarkuar me COVID-19
Më së shumti 65 euro shtesë për 3 muaj do të marrin punonjësit shëndetësorë për punë shtesë për përballje me COVID-19.
Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur është paraqitur rasti i parë i infektuar me këtë virus, 25 gushti shënon ditën me më së shumti hospitalizim të të infektuarve.
Tashmë në spitale janë mbi 1100 pacientë, një pjesë e tyre në gjendje të rëndë.
Pikërisht ditën kur kurba e rasteve është në rritje alarmante, Qeveria e Kosovës në mbledhje ka votuar vendimin për pagesë shtesë për punonjësit shëndetësorë publikë.
Pa ndonjë kategorizim se kush nga profesionistët është më shumë i angazhuar e kush jo, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se askush nga punonjësit shëndetësorë nuk do të marrë më pak se 60 euro.
“Marrë parasysh situatën aktuale, pra në sistemin shëndetësor, ne kemi marrë disa hapa me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht ka qenë ndarja apo alokimi i mjeteve shtesë për punësimin e stafit mbështetës të përkohshëm prej 1 mijë e 116 personave, dhe po ashtu marrë parasysh edhe ngarkesën e stafit ekzistues kemi parapa që të ketë një mbështetje shtesë mbi pagën bazë prej 10 %, por jo më pak se 60 euro për 3 muajt e ardhshëm, duke përfshirë edhe muajin gusht. Mjetet e ndara do të merren nga programi i rimëkëmbjes ekonomike.
Paga e një mjeku specialist është 659 euro. Askush nga punonjësit e sistemit shëndetësor publik nuk ka pagë me të madhe se kaq, përjashtim bëjnë shefat e reparteve e drejtorët e klinikave. Këtyre shtesat do t’u dalin 80, respektivisht 85 euro.
Në Odën e Mjekëve ky vendim u është dukur qesharak e denigrues për punonjësit shëndetësorë.
“Them të drejtën ne mbetëm pa fjalë në aspektin që nuk ia vlen me komentu.
Në anën tjetër nëse kjo si koment i shkurtër, le të krahasohet me mëditjet që i marrin zyrtarët qeveritarë. Mund të arsyetohej edhe me mospasjen e financave. Krejt në rregull është. Ndoshta më mirë do të kuptohej që nuk ka financa”, ka thënë ai.
Këtë vendim të Qeverisë, Oda e Infermierëve e ka konsideruar nënçmues për infermierët.
“Kjo shumë, pos të tjerash, është ofenduese për punonjësit shëndetësorë të cilët po punojnë në kushte shumë të rënda në përballje me virusin COVID-19.
Kosova edhe ashtu po përjeton një dramë të largimit të infermierëve dhe kjo qasje e Qeverisë vetëm shton nënvlerësimin karshi tyre dhe i kontribuon klimës së largimit të punonjësve shëndetësorë nga Kosova”, thuhet në reagimin e kësaj ode.
E Federata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë këtë vendim e ka quajtur skandaloz e denigrues për mjekët.
FSSHK-ja ka thënë se me këtë vendim Qeveria “në sy të popullit po mundohet të tregohet populliste dhe mbështetëse kinse e punëtorëve shëndetësorë, por në fakt ky është vetëm një degradim i radhës”.
Teksa e quan skandaloz e dekurajues vendimin, FSSHK-ja ka kërcënuar se “me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës kundrejt punëtorëve shëndetësorë nuk do të ketë paqe sociale dhe për të gjitha dëmet e shkaktuara përgjegjëse do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës”.
Ky organizëm ka paralajmëruar edhe reagime sindikale, por “duke mos cenuar dhënien e shërbimeve shëndetësore për popullatën e gjerë”.
Prej marsit të vitit të kaluar punonjësit shëndetësorë shumicën e kohës kanë marrë paga shtesë. Këto shtesa parashihen edhe në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Vitin e kaluar në emër të Pakos Emergjente ishin ndarë nga 300 euro në muaj për stafin shëndetësor, Policinë së Kosovës dhe zjarrfikësit, që kapnin vlerën rreth 15 milionë euro. E një praktikë e tillë ishte vazhduar tutje edhe nga Qeveria Hoti.
Në nëntorin e vitit të kaluar ish-ministri Armend Zemaj pati njoftuar se shtesat ishin bërë 250 euro.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se janë ekzekutuar pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore, në tri nivelet e kujdesit shëndetësor: primar, sekondar dhe terciar, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas obligimeve nga Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, pati shkruar Zemaj në Facebook.
Pagesat shtesë janë ndërprerë në muajin qershor nga Qeveria Kurti 2.