Arbëri

Më së shumti donacione për LDK-në e VV-në, për PDK-në vetëm 400 €, për AAK-në e LS-në asnjë cent

Mijëra euro për partitë e tyre dhuruan deputetët e LDK-së e VV-së vitin e shkuar. Krahas të hyrave të tjera, këto dy parti prinë me numrin e donacioneve të pranuara, e që kryesisht janë nga anëtarë të saj. Ndihmë financiare nuk deklaruan AAK-ja e Lista Serbe, derisa 400 euro donacion vitin e shkuar deklaroi PDK-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës, është partia që u mbështet më së shumti nga donatorët.

Vitin e shkuar për këtë parti janë dhuruar gjithsej 39 mijë e 483 euro, krahas mbi 683 mijë eurove të hyra të tjera, sipas raportit të KQZ-së për pasqyrat financiare të partive.

Për partinë që drejton Lumir Abdixhiku, gjatë vitit të kaluar dhuroi 1 mijë e 900 euro. Më shumë se ai kontribuuan deputetë e anëtarë të partisë.

Me nga 2 mijë euro kanë kontribuar deputetët Valentina Bunjaku, Besian Mustafa  e anëtarët Xhafer Tahiri, Berat Rukiqi, Arton Retkoceri e Flamur Istrefi. 

1 mijë e 600 euro për LDK-në, i dha donacion drejtori për Investime Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi derisa nga 1 mijë e 200 euro, Doarsa Kica-Xhelili, e nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku.

Ndonëse për nga të hyrat e përgjithshme Lëvizja Vetëvendosje prin me mbi 2 milionë euro, kjo parti pati më pak donacione.

Për vitin e kaluar u dhuruan 22 mijë e 366 euro, derisa kontribuuesit më të mëdhenj ishin vet deputetët e saj.

Në mesin e tyre, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ligjvënësit Tinka Kurti e Salih Zyba, me nga 2 mijë euro secili. 

Ministri i vetëm që dha ndihmë financiare për partinë është ai i Kulturës, Hajrulla Ceku me 800 euro.

Ndryshe prej LDK-së e VV-së, donacionet në Partinë Demokratike ishin simbolike.

400 euro i dha donatorja e vetme, Mimoza Blakaj-Pitaqi. 

Donacione nuk kanë deklaruar se kanë pranuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Lista Serbe.

Sipas raportit të KQZ-së, PDK-ja pati të hyra gjatë 2023, gjithsej 951 mijë e 483 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 280 mijë e Lista Serbe, 314 mijë e 348 euro.