Arbëri

Me rrymë e në terr

Prej vitesh, banorëve të Jezercit të Ferizaj nuk u është zgjidhur problemi që e kanë me tensionin e ulët të energjisë elektrike. Ata thanë se ndonëse kanë rrymë, jetesën e bëjnë si pa të, meqë nuk u funksionojnë pajisjet elektrike shtëpiake. Në fshatin turistik, as bizneset familjare nuk janë zhvilluar, shkaku i energjisë së dobët

Tensioni i ulët i energjisë elektrike ka bërë që në shtëpinë e Fadil Hajdarit nga Jezerci i Ferizajt, disa herë të dëmtohen pajisjet elektrike.

Ai thotë se problemi është i përditshëm.

“Një fazë ka, dy nuk kanë. Edhe ato që kanë, janë të dobëta. Nuk duhet me ndodhë. Jemi në shekullin e XXI, e sot me pasë probleme me pjesën e infrastrukturës sikur me rrymë, është tmerr”, thotë Hajdari.

Ai thotë se dëmi më i madh i është bërë në biznesin që ka.

“Jezerci është zonë turistike. Çdo njëri e ka një vilë edhe mundohemi me punu diçka, por sinqerisht neve na ka bërë dëm. Na ka bërë dëm në turizëm shumë, na ka bërë dëm në pajisje, televizorë, në frigorifer. Dikush ka jacuzzi dhe pjesë tjera elektronike, në korrektor. Dëm na ka bërë ekstrem shumë”, thotë ai.

Tensioni i ulët i energjisë elektrike, i cili vazhdon prej vitesh në këtë fshat, u ka shkaktuar vështirësi edhe familjeve të pakta që ende jetojnë aty.

Për shkak të këtij problemi, banorët kanë protestuar disa herë, por nuk kanë siguruar zgjidhje.

Mehdi Hajdari thotë se kompanisë së cilës Kosova ia dha distribucionin, nuk investoi në fshat, në infrastrukturën e energjisë.

“Ka shtylla që janë vendosur para 40 vjetëve. Janë të shkatërruara krejt. Rrymën e kemi shumë e dobët. Asnjë mjet nuk na funksionon pa e pasë një stabilizator përforcues, as makina e larjes, as e enëve, as e frigoriferit”, ka thënë ai.

Këtë e pohon edhe një tjetër banor.

“Për ne ma problem se me qenë në terr, çka deshe me qenë ma shumë? Në terr je, bojler nuk ke, makinë të larjes nuk ke, televizor nuk ke, dritë pak. E atëherë, për ne janë tonat”, thotë Rrustem Agushi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se kompania e distribucionit është njoftuar për këtë problem dhe e ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave.

“KEDS-i është në dijeni për gjendjen me furnizim me energji elektrike në fshatin Jezerc. Si rrjedhojë, është parapërgatitur një projekt nga ekspertët e kompanisë. Ky projekt, ndër shumë të tjerë, është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji për aprovim. Me t’u aprovuar, implementimi i tij do të fillojë menjëherë në kuadër të planit investiv për vitin 2025”, ka thënë Krasniqi.

Përveç Jezercit, me tension të ulët të energjisë elektrike përballen edhe fshatrat Balaj, Nerodime dhe Manastric në Ferizaj.