Arbëri

Cakolli: Me ritmin aktual të rezultateve nga diaspora, VV-ja arrin në 51 deputetë

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” ka thënë se me ritmin aktual të rezultateve nga votat e diasporës, Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë t’i zë 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, gjasat më reale janë që kjo parti ta përmbyllë këtë proces me 50 mandate. 

Me anë të përqindjeve që mund të arrihen, ai ka thënë se kjo parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk pritet të bie nën 49 deputetë. 

“Me këto rezultate, po të përmbylljet procesi zgjedhor me një përqindje të tillë (81.97%), Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 51 deputetë pa i llogaritur votat me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta. Me një trend të tillë, i bie që LVV-ja me 73 deri në 82 për qind të votave të diasporës, i ka të sigurta 50 mandate dhe sa më shumë që i afrohet 82 përqindëshit futet në garë edhe për mandatin e 51-të. LVV-ja nëse do të ketë 61 deri në 73 për qind, do t’i ketë 49 mandate. Gjasat më reale janë që Lëvizja Vetëvendosje ta përmbyllë këtë proces me 50 mandate”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai tutje ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ritmin e numërimit, duke thënë se me punën që po bëhet aktualisht, do të kalohet afati i 6 marsit për t’i shpallur rezultatet e zgjedhjeve.

“Nuk ka asnjë arsye legjitime që KQZ-ja të mos i procesojë këto të dhëna në kohë reale. Këto përditësime çdo 10-12 dorë nuk është se kanë sens. për bindjen time është një tempo shumë e ngadaltë, ndonëse ka pasur pritje që procesi të përmbyllet brenda kësaj jave, deri në vikend. Me një tempo të tillë, me 60 vota të tjera që janë ende në kalkulim, i bie që KQZ-së do t’i duhen 5 deri në 7 ditë për ta përmbyllur këtë proces. Besoj se me përgatitje katërvjeçare, me gjashtë muaj kohë paraprakisht vendim të presidentes, të gjitha këto vota do të duhej të përmbylleshin brenda ditës, jo për një ditë e dy, por brenda ditës pasi ka mjaftueshëm resurse që KQZ-ja ta kryejë këtë punë”, ka thënë ai. 

Cakolli ka shtuar se në këto zgjedhje KQZ-ja ka treguar nivelin më të ulët të transparencës dhe llogaridhënies për procesin zgjedhor që nga viti 2010 e tutje.