Pas pezullimit të tyre që prej shpërthimit të pandemisë COVID-19, nëpër shkollat e Komunës së Prizrenit ka rinisur realizimi i vizitave sistematike shëndetësore të nxënësve të klasave të para, të pesta dhe të nënta. Ato do të vazhdojnë deri në mes të majit dhe pas përfundimit do të bëhet përpunimi i të dhënave, si dhe nxjerrja përfundimtare mbi shëndetin e nxënësve
Vizitat sistematike shëndetësore të nxënësve të klasave të para, të pesta dhe të nënta kanë rinisur nëpër shkollat e Komunës së Prizrenit, pas pezullimit të tyre që prej nisjes së pandemisë COVID-19.
Ekipet mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të hënën realizuar kontrolle shëndetësore në shkollën “Emin Duraku”.
Drejtori i kësaj shkolle, Rrahim Bekteshi, thotë se vizitat e tilla janë të mirëpritura, pasi shërbejnë për identifikimin e sëmundjeve eventuale te nxënësit.
“Gjithsej do të kontrollohen 555 nxënës. Këto vizita sistematike janë të mirëseardhura, sepse nga përvoja që kemi, shumë sëmundje janë identifikuar gjatë vizitave sistematike”, tha Bekteshi.
Shpresa Llukaj-Goçaj, mbikëqyrëse e projektit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prizren, thotë se katër ekipe mjekësore planifikohet që të kontrollojnë 7 mijë e 500 nxënës për përcaktimin e 30 indikatorëve vitalë shëndetësorë.
“Fillimisht do të merren indikatorët vitalë, pesha, gjatësia. Pastaj në sistemin lokomotor, të shëndetit oral, do të detektohen dhëmbët, kariesi, do të detektohen defektet e okluzionit, pastaj edhe shumë parametra të tjerë, do të thotë janë të përfshirë diku 30 indikatorë shëndetësorë, të cilat gjetje pastaj do të përpunohen dhe do ta kemi një pasqyrë reale për shëndetin aktual të fëmijëve tanë në shkolla”, tha Llukaj-Goçaj.
E kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi se pas këtyre vizitave do të mblidhen të dhënat finale që do ta ofrojnë një pasqyrë se në çfarë drejtimi duhet të lëvizë shëndetësia në këtë komunë.
“Pas përfundimit të këtyre vizitave do të kemi të dhëna që do të na shërbejnë neve si qeverisje lokale, por më së shumti institucioneve që merren me shëndetësi, se çfarë masash duhet ndërmarrë në të ardhmen për kujdes, për shëndet sidomos për nxënësit e shkollave”, tha Totaj.
Vizitat sistematike mjekësore, sipas zyrtarëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të realizohen në të gjitha shkollat e Komunës së Prizrenit deri në mesin e muajit maj dhe më pas do të bëhet përpunimi i të dhënave, si dhe nxjerrja e rezultateve.