Është përkeqësuar cilësia e ajrit në kryeqytet. Prej ndotësve më të mëdhenj konsiderohen termocentralet e trafiku. E profesionistë shëndetësorë dhanë rekomandime se si të mbrohen qytetarët nga kjo shkallë e ndotjes, e veçmas ata me sëmundje kronike
Shkalla e cilësisë së ajrit ditëve të fundit tregohet më së miri me figurën e ngrysur me ngjyrë të kuqe që ndodhet në pajisjen inovative për matjen e cilësisë së ajrit në sheshin e kryeqytetit.
Degradimi është rritur me rënien e temperaturave. Kur indeksi i cilësisë së ajrit është deri në 50 konsiderohet brenda norme, por vlera e tij ka tejkaluar 100-shin.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për gjendjen e cilësisë së ajrit.
Jeton Tahiri është nga Mitrovica dhe jeton në Gjermani. Ai tregon dallimin që e vëren kur viziton Kosovën dhe thotë se duhet të bëhet zgjidhje si në qytetin ku jeton, ku përdoret ngrohja me energji me erë dhe me atë solare.
“Zakonisht Prishtina është shumë e ndotur. Nuk e di prej nga çka vjen, por shumë e vërej. Për shembull, në Mitrovicë është 17 pastërtia e ajrit me çka maten, kurse në Mynhen është 15, edhe pse është qytet shumë i madh, a në Prishtinë 60-70. Pak me qenë ftohtë, kur po i ndezin njerëzit shporetet apo furrat, veç po shkon të 100”, ka thënë Tahiri.
Disa qytetarë treguan se kanë shpresuar që me klima efiçiente do të zgjidhej problemi i ndotjes së ajrit. Por, sipas tyre, qarkullimi i madh i veturave është problemi kryesor për ndotjen.
“Unë jetoj në një lagje periferike. Kur shikoj teposhtë, krejt është e mbyllur kjo pjesë. Do të thotë ndotja e ajrit është enorme. Ndoshta edhe vetë, tymtarët e Obiliqit apo edhe veturat, shumë lëvizje, por unë kam menduar që më shumë është problemi me ndezjen e druve për t’u ngrohur”, ka thënë Agim Janova.
Ndërsa, qytetarë të tjerë u bënë thirrje institucioneve të ndërmarrin masa.
“Nuk po gjejnë vende në spital kur po shkojnë. Krejt prej ajrit të ndotur. Numër 1 shëndeti. Kështu që u rekomandoj institucioneve le të bëhen më syhapur edhe le ta marrin më seriozisht këtë punë”, u shpreh Salih Grajqevci nga Obiliqi, që po ecte në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë.
Antigona Ukëhaxhaj, doktoreshë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), tregon se ndotja ajrit do të vazhdojë derisa të ketë rënie të temperaturave. Ajo foli edhe për burimet e ndotjes.
“Kemi menduar gjithmonë se është industria, por studimet e fundit thanë që edhe amvisëria. Ngrohjet individuale e bëjnë një ndotje të madhe edhe pse jo edhe trafiku i dendur. Por, kësaj ia shtojmë edhe kushtet e disfavorshme meteorologjike, rënien e temperaturave dhe terrenin fushëgropë të Prishtinës që e përkeqëson edhe më shumë situatën në këto ditë të ftohta”, deklaroi Ukëhaxhaj.
Sipas saj, gratë shtatzëna, të moshuarit, fëmijët dhe ata me sëmundje kronike duhet të qëndrojnë më shumë në shtëpi dhe në rast se dalin duhet të përdorin maskë ose shall.
“Efektet e shkurtra dhe efektet afatgjata prodhojnë një seri të sëmundjeve të cilat lidhen me sëmundjet asmatike, rritjen e problemeve me bronhite, bronhitet akute, po ashtu edhe me pneumonitë. Ndërsa, sa i përket sistemit kardiovaskular ato lidhen me problemet e qarkullimit të gjakut, me krizat hipertenzive dhe të gjitha këto ka hipoteza që çojnë edhe në kancerin e mushkërive”, ka thënë doktoresha Ukëhaxhaj.
Ajo ka rekomanduar që të ndërmerren veprime konkrete dhe aktivitete të ndryshme me qëllim të zvogëlimit të ndotësve.
“Ministrisë së Mjedisit i bie që të kontrollojë derivatet e naftës, të shikojë ndotjen nga industritë, në këtë rast të KEK-ut, por Ministrisë së Tregtisë i mbetet të reduktojë numrin e veturave të vjetra në trafik, sidomos kur kemi këtë situatë”, theksoi ajo.
Qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit, përveç kryeqytetit, janë Obiliqi, Fushë-Kosova, Drenasi dhe Gjilani.