Më 14 janar në rrugën “Xhorxh Bush”, tashmë të kthyer në shesh, do të protestohet me kërkesën për hapjen e kësaj rruge në qendër të Prishtinës, ka paralajmëruar faqja “Vrojtuesit e Lagjes” në Facebook.
Në paralajmërim, organizatorët e protestës kanë thënë se mbyllja e rrugës ka shkaktuar probleme në trafik e kolona të gjata.
“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballur një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kollonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes. Data e protestës është 14.01.2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës Xhoxh Bush në një shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime”, thuhet në njoftim.
Protesta do të mbahet me fillim prej orës 12:00.
Me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, rruga në qendër të kryeqytetit, “Xhorxh Bush” ka më shumë se një vit që kjo rrugë është e mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe është kthyer në shesh. Madje Rama ka përsëritur në disa raste se sheshi do të zgjatet deri te rrethi i flamurit.