Realizimin e një sërë projekteve e ka paraparë Komuna e Pejës në Planin e saj Zhvillimor për vitet 2020-2028.
Dy prej tyre prekin objektin e Pallatit të Kulturës dhe ndërtesën e vjetër të Administratës Komunale, të cilat me këtë plan parashihet të jepen në shfrytëzim në partneritet publiko-privat për t’i shndërruar ato në hotele.
Por këto plane nuk kanë kaluar pa reagime.
Subjekti opozitar në Pejë, AAK, shpreh dyshimet e saj se eventualisht prapa këtij plani mund të qëndrojnë iniciativa të caktuara që mund të shkaktojnë më tepë dëme se të mira.
“Duhet pasur shumë kujdes me procedurat sepse jemi të vetëdijshëm se komuna shpesh ato nuk i respekton dhe në këtë drejtim duhet të jetë shumë më transparente. Poashtu e përkrahi edhe mundësinë e krijimit të një hapësire ku gjitha drejtoritë të jenë në një vend sepse ndoshta do të jetë një efikasitet më i madh. Gjitha këto e kanë një hije të vogël ndoshta të dyshimit tonë”, ka thënë Arbër Grabovci i AAK-së.
Dyshimet se prapa këtyre planeve mund të qëndrojnë interesa të caktuara, i ka shprehur edhe shoqëria civile, e cila ka kundërshtuar qëllimet e Komunës, veçanërisht për Pallatin e Kulturës.
“Faktikisht në këtë Kosovën tonë deri me tani kështu po shkojnë punët. Do më thënë të jepet një kuptim të keq. Dhe sigurisht që do të bëjmë çfarëdo presioni të mundshëm që pallati i kulturës mos me ju heq destinacioni, por me qenë pallat i kulturës, me u rinovua dhe me u vu në funksion për të mirën e qytetarëve për të mirën e kulturës, për të mirën e sportit dhe të mirën e rinisë”, ka thënë Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit”.
Mirëpo në Komunë i kanë arsyetuar ndërrimin e destinimit të këtyre dy objekteve, jo vetëm për shkak të turizmit që Peja e ka shtyllë të zhvillimit, por edhe për ngritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Administrata komunale është e shpërndarë në disa objekte dhe me planin e ri gjatë tetë viteve të ardhshme është paraparë që të gjitha zyrat komunale në kuadër të Administratës, Drejtoritë që janë të shpërndara në disa pjesë të jenë të vendosura në një objekt, i cili do të ndërtohet pikërisht ku është sot administrata qendrore e komunës, pra në oborrin e saj”, ka thënë Rejan Arapi, drejtor i Urbanizmit.
E në Pallatin e Kulturës nuk është vetëm Drejtoria e Kulturës e sistemuar, por edhe biblioteka e qytetit, për të cilën, siç tha Arapi, do të ndërtohet një objekt i ri në lokacionin ku aktualisht është parking, e më herët ka qenë çerdhja e vjetër e qytetit.