Arbëri

Me pasurinë e konfiskuar Qeveria synon t’i forcojë institucionet që e luftojnë krimin

Një Koncept-dokument që e ka finalizuar Ministria e Drejtësisë parasheh që buxheti i siguruar nga pasuria që konfiskohet të ketë orientim specifik. Buxheti pritet të rritet me miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. E, me koncept-dokument do të saktësohet përqindja e shumës që do të shkojë për organet e drejtësisë penale që kontribuojnë në konfiskim, pastaj për kompensim të viktimave, për projekte të ripërdorimit shoqëror, si dhe për buxhetin e Kosovës

Qeveria ka planifikuar ta themelojë një fond që grumbullon dhe orienton për çështje specifike mjetet nga shitja e aseteve që konfiskohen. Këtë politikë e ka lansuar në kohën kur e ka finalizuar edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ministria e Drejtësisë në një koncept-dokument, të cilin tani e ka finalizuar, ka treguar se ku do të shkojë buxheti që krijohet nga shitja e kësaj pasurie. Ajo do ta saktësojë përqindjen e nga ky fond që do të shkojë për organet e drejtësisë penale, të cilët kontribuojnë në konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme (gjyqësori, prokuroria, doganat, NjIF-i, AAPSK); pastaj përqindjen për kompensim të viktimave; përqindjen për projekte të ripërdorimit shoqëror; si dhe përqindjen për buxhetin e Kosovës.

“Më këto ndryshime do të kompletohet infrastruktura ligjore në fushën e trajtimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ku krahas administrimit do të rregullohet fusha e përdorimit të pasurisë nga institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës dhe do të mundësohet ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara, si dhe do ta ndihmonte Kosovën në alokimin e burimeve të mjaftueshme për të mundësuar arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjitë dhe Planet e Veprimit, me financimin e këtyre burimeve nga vetë kriminelët”, thuhet në koncept-dokument.

Aktualisht të ardhurat nga shitja e pasurisë së konfiskuar kalojnë në buxhetin e shtetit sipas Kodit të Procedures Penale. Ndërkaq nuk ka dispozita për ripërdorim social e ka pengesa për transferimin e pasurive të konfiskuara kriminale për përdorim nga Qeveria. Po kështu, nuk ka dispozita për të nxitur agjencitë ligjzbatuese dhe gjykatat nga fondi për të përmirësuar performancën e konfiskimit.

Në fund të dhjetorit Qeveria ia ka përcjellë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim edhe një projektligj me të cilin themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Mbështetur në të, pasuria do të konfiskohet në procedurë civile.

Mënyra se si është paraparë të ndodhë konfiskimi ka marrë kritika nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile.

E Genc Nimoni, këshilltar i ministres së Drejtësisë, ka thënë se kjo është njëra ndër iniciativat më serioze dhe më profesionale të Ministrisë dhe Qeverisë.

“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata, ndërsa roli i Byrosë është verifikimi fillestar i saj. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë”, ka thënë Nimoni. “Nuk ka prezumim të pafajësisë në çështje civile. Për juristët mbetet e qartë kjo dhe ky parim”.

Rreth 43 milionë euro është pasuria e sekuestruar në pesë vjetët e fundit, prej së cilës diçka më shumë se 3 milionë euro është konfiskuar.