Arbëri

Me nderime të larta varroset heroi i Kosovës Afrim Bunjaku

Me nderime të larta shtetërore është varrosur polici i vrarë të dielën në veri, Afrim Bunjaku.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryetari Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, e drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Ndër të tjerë në ceremoninë që është zhvilluar në Samadrexhë të Vushtrrisë, kanë qenë prezent edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori i Francës Oliver Guerot e ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetë të Kuvendit si dhe kryetarë të komunave.

{gallery}

Në ceremoninë e varrimit Bunjaku është quajtur hero. Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se ai është hero që mbrojti integritetin territorial të vendit.

“Dje dëshmoi se Kosova është mbi të gjitha. Nuk është humbje vetëm për familjen por edhe për Policinë e Kosovës dhe gjithë qytetarët”, është shprehur Osmani, duke shtuar se ai është simbol i guximit.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka thënë se Bunjaku është vrarë duke e mbrojtur shtetin e Kosovës nga grupet terroriste që hynë nga Serbia për ta sulmuar Republikën e Kosovës.

“Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës. Dita e djeshme, ditë tragjike e humbje e jetës, ditë e dhimbjes për familjen e miqtë, është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua në piedestalin e dëshmorëve”, është shprehur Konjufca.

Ai ka thënë se dita e djeshme gjithashtu dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar.

“Dje Republika e Kosovës triumfoi falë sakrificës sublime të Afrimit dhe vendosmërisë së shokëve të tij. Mbrojtja e djeshme na kushtoi me gjakun e Afrim Bunjakut por beteja me terroristët do të përfundojë vetëm kur terroristi i fundit të vihet para drejtësisë. Bashkësia ndërkombëtare të reflektojë e ta dënojë me ashpërsi Serbinë e Aleksandër Vuçiqit qe mbetet Serbia e Sllobodan Millosheviqin.

Kryeministri Kurti ka thënë se “dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri”.

“Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut është një sakrificë, e heroizmin e ofruan sërish me profesionalizëm kolegët ë tij që u përballën me grupet e armatosura e terroriste. Përballë këtyre grupeve do të ngadhënjeje Kosova. Me terrorin dhe krimin nuk ka kompromis”, ka thënë Kurti.

Artan Bunjaku, familjar i policit të vrarë, ka thënë se për familjen, rënia e Bunjakut është sa dhimbje, aq edhe krenari.
“Kjo është dëshmia më e mirë se si ne ja arrijmë të jemi të unifikuar në këto momente ... ju pjesëtarë të Policisë jeni krenaria e kombit. Deri dje Afrimi ishte familjar i yni nga dje ai është hero i kombit shqiptar. Lavdi të gjithë të rënëve për atdheun. Ata nuk kanë vdekur se të vdesësh për atdheun është të rilindësh përsëri”, ka theksuar ai.

Bunjaku është vrarë në orët e para të së dielës, të cilat nisen me sulme të armatosura nga grupe terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit. Nga këto sulme janë lënduar edhe tre policë të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri.

Të vdekur kanë mbetën edhe tre sulmues të armatosur.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe dyshohen për disa vepra penale, përfshire ato që kanë të bëjnë me terrorizëm.