Arbëri

Me ligjin antimafia, zyrtarëve do t’u konfiskohet pasuria e pajustifikueshme mbi 5 mijë euro

Legjislatura e re ka në plan ta miratojë sivjet një ligj, i cili krijon mundësinë që pa aktgjykim dënues, ta konfiskojë secilën pasuri të pajustifikueshme të zyrtarëve, që ka vlerën mbi 5 mijë euro. Ligji antimafia, siç njihet në publik, nuk do të vlejë edhe për qytetarët e rëndomtë.

Është Ministria e Drejtësisë institucioni që e ka ndërmarrë këtë nismë, dhe tashmë Koncept-dokumentin që analizon këtë politikë, e ka deponuar në Qeveri për miratim.

KOHA ka siguruar një kopje të këtij dokumenti, i cili ofron tri opsione për adresimin e problemit dhe sugjeron që opsioni i tretë të merret në konsideratë.

“Ky opsion sugjeron që konfiskimi civil të realizohet mbi bazën e identifikimit të diskrepancës në mes të pasurisë së paligjshme të personave të dyshuar dhe të ardhurave të tyre. Ky proces do të përfshijë si pasurinë që nuk është deklaruar fare, ashtu edhe pasurinë që është deklaruar, por nuk korrespondon me të ardhurat legjitime. Kjo diskrepancë duhet të ketë vlerë jo më të vogël se 5,000.00 euro në mënyrë që të përdoret si indikator për inicimin e procedurës së konfiskimit civil”, thuhet në koncept-dokument.
Dokumenti liston dy kategori personash, mbi të cilët do të aplikohet konfiskimi.

Kategoria e parë liston zyrtarët e lartë publikë dhe anëtarët e tyre të familjes.

Në krye të listës ndodhen zyrtarët më të lartë të tri institucionet kryesore: Presidencës, Kuvendit e Qeverisë.
Janë edhe sekretarët e përgjithshëm, kryeshefat, anëtarët e bordeve e drejtorët e departamenteve. Po kështu, edhe gjyqtarë e prokurorë, si dhe titullarë e zyrtarë me peshë në institucione, si në ATK, Doganë, Polici, AKI e FSK.

Përjashtim nuk bëjnë as ambasadorët e dhe zyrtarët me gradë diplomatike, e as titullarët e universiteteve.

“Presidenti, anëtarët e kabinetit të presidentit, sekretari dhe drejtorët e departamenteve profesionale në Zyrën e Presidentit dhe të emëruarit nga ai;

Deputetët, të gjithë personat e zgjedhur apo të emëruar nga Kuvendi, Kryesia, Kryetari i Kuvendit, si dhe kabineti i kryetarit të Kuvendit;

Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, shefat e kabineteve, si dhe të gjithë të emëruarit nga ta;

Sekretarët e përgjithshëm të Qeverisë, kryeshefat e agjencive apo pozitat e barasvlershme të themeluara me ligj apo me ndonjë akt tjetër dhe të emëruarit e tyre, drejtori dhe zëvendësdrejtori, drejtorët regjionalë të Administratës Tatimore, drejtori i përgjithshëm, si dhe drejtorët e departamenteve të Doganës;

Auditorët në Zyrën e Auditorit Gjeneral dhe të gjithë auditorët e brendshëm të institucioneve;

Anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, kryeshefat, zëvendëskryeshefat, sekretarët e ndërmarrjeve publike të nivelit qendror dhe lokal, anëtarët e bordeve të rregullatorëve, të komisioneve apo agjencive të tjera të themeluara me ligj apo me ndonjë akt tjetër;

Anëtarët e Bordit, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Bankës Qendrore;

Kryetarët e komunave dhe zëvendëskryetarët, kryesuesit, zëvendëskryesuesit, këshilltarët e asambleve komunale, si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale;

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, Auditori Gjyqësor, Prokurori Disiplinor;

Gjyqtarët dhe prokurorët, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe sekretari i Gjykatës Kushtetuese;

Udhëheqësit e të gjitha departamenteve, drejtorive, drejtorive apo njësive të barasvlershme, udhëheqësit e financave dhe prokurimit publik në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike;

Ambasadorët, konsujt, zëvendëskonsujt, sekretarët e ambasadave apo konsullatave të Republikës së Kosovës;

Rektori, prorektorët e Universitetit publik, anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit publik, dekanët dhe prodekanët, si dhe sekretari i Universitetit publik dhe njësive akademike;

Drejtori i përgjithshëm, zëvendësdrejtori dhe drejtorët rajonalë të Policisë së Kosovës, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës;

Komandanti, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës;

Drejtori, zëvendësdrejtori, si dhe inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës;

Avokati i popullit dhe zëvendësit e tij;

Kryeinspektorët dhe zëvendëskryeinspektorët e inspektorateve të nivelit qendror dhe lokal;

Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

Të gjithë ushtruesit e detyrës në pozitat e lartpërmendura që ushtrojnë detyrën më gjatë se tre (3) muaj”, thuhet në kategorinë për zyrtarëve të lartë.

Krahas kësaj kategorie, përmes këtij opsioni sugjerohet që ligji i ri të zbatohet edhe për personat e ekspozuar politikisht, ku bëjnë pjesë personat fizikë vendorë ose të huaj, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të rëndësishme publike, përveç zyrtarëve të nivelit të mesëm ose të ulët.

Të gjithë këtyre zyrtarëve a ish-zyrtarëve do të mund t’u konfiskohet pasuria nga 5 mijë euro e më shumë e krijuar kurdo pas lufte, e për të cilën nuk mund të dëshmojnë se ka origjinë legjitime.

“Me këtë rast, barra e provës do të bartet tek i dyshuari, i cili duhet të dëshmojë se pasuria e tij ka origjinë legjitime. Nëse i dyshuari dështon ta bëjë një gjë të tillë, pasuria e cila është objekt i shqyrtimit konfiskohet përfundimisht dhe e njëjta bartet në pronë të shtetit”,thuhet tutje në koncept-dokument.

Me ligjin që synohet të aprovohet gjatë vitit është paraparë të themelohet një Agjencia, e cila do të autorizohet për të paraqitur pranë gjykatave themelore kërkesën për konfiskim civil, në rastet kur arrin të identifikojë diskrepancë në mes të pasurisë dhe të ardhurave të deklaruara të zyrtarëve të lartë publikë apo të personave të ekspozuar politikisht.

Deri tash, konfiskimi ka qenë fare simbolik. Në gjashtë vjetët e fundit, vlera e ngrirjeve dhe sekuestrimeve ishte 180 milionë euro, por vlera e konfiskimeve përfundimtare është vetëm 3.5 milionë euro.