Edhe pse me kontratë, përgjegjës për furnizim më rrymë është KEDS-i, Komiteti Teknik për Energji i kryesuar nga Ministria e Ekonomisë, të enjten, ia ka rekomanduar KEK-ut që të shfrytëzojë rreth 7 milionë eurot e mbetura nga subvencioni i bartur nga Qeveria për import të energjisë elektrike për të mbuluar kërkesën vendore.
KEK-u ka njoftuar se i janë deleguar detyra shtesë për të siguruar energji elektrike, siç theksohet, ‘edhe përkundër faktit se kjo përgjegjësi është e furnizuesit publik”.
Nga Ministria e Ekonomisë të premten nuk kanë dhënë sqarime lidhur me vendimin për t’i kërkuar KEK-ut që të blejë rrymë, derisa përgjegjës për furnizim është KEDS-i.
KESCO nuk ka blerë energji shtesë me arsyetimin se nuk ka mjete, derisa reduktimet e rrymës kanë vazhduar edhe të premten.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, situatën energjetike në vend nuk e zgjidh as dyfishimi i tarifave të rrymës që e ka kërkuar KESCO e as alokimi i 100 milionë eurove nga Qeveria.
Ai ka thënë se si pasojë e mospagesës së subvencionimit nga ana e Qeverisë, borxhi i KESKO-s ka arritur në 120 milionë euro.
“100 milionë eurot janë borxh i së kaluarës, ato nuk e zgjidhin problemin, ato vetëm e përmirësojnë gjendjen financiare të sistemit elektroenergjetik, por në gjendje të rëndë financiare janë edhe KOSTT-i edhe KEK-u”, tha Buzhala.
Zyra e Rregullatorit nuk ka treguar se kur saktësisht pritet të merret vendimi nëse do të ketë ose jo rishqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, por ka bërë të ditur se do t’i përmbahet afatit që përfundon javën e ardhshme.
Por Buzhala ka thënë se as dyfishimi i çmimit nuk do t’i ndalë reduktimet.
“As shtrenjtimi nuk e zgjidh më krizën, çka nënkupton që duhet të kursejmë, duhet mobilizim i të gjitha institucioneve, duhet që qytetarët e Kosovës të orientojnë sistemet e tyre të ngrohjes drejt formave alternative të ngrohjes”, tha Buzhala.
Në KEDS kanë thënë se KEK-u edhe këto ditë është duke marrë rrymë nga Shqipëria, por se ajo nuk po mjafton në orët e pikut.
Aktualisht prodhimi shkon deri në 550 MWh, ndërsa kërkesa është rreth 750 MWh.