Arbëri

Me gjithë kundërshtimin e banorëve, Komuna mbyll rrugën “Rexhep Luci”

16:12 - Pas rezistencës disa orëshe, banorët e kësaj rruge kanë hequr veturat nga rruga për t’u liruar.

Image

Me gjithë kundërshtimin e banorëve Komuna e Prishtinës ka vendosur të mbyllë për automjete një pjesë të rrugës “Rexhep Luci”.

Veturat të cilat po tentojnë të hyjnë në këtë rrugë nuk po lejohen, ndërkohë që banorët që i kanë veturat e parkuara po refuzojnë t’i largojnë.

Në këtë rrugë janë dërguar merimangat për të larguar veturat që janë aty.

Aksioni është duke u asistuar edhe nga Policia e Kosovës, ndërkohë që disa banorë janë duke e kundërshtuar.

Në vendngjarje ka dalë edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

Ai ka thënë se zgjidhja është që të lirohen hapësirat publike.

“E di që ka pasur pakënaqësi por komuna i ka shtjerrë dëgjimet publike, por sido që të jetë janë rrugët e tjera. Besoj se do të gjejmë mirëkuptim prej qytetarëve siç kemi gjetur edhe për rrugët e tjera. Po flasim tani për tri - katër vetura që kanë mbetur pa u larguar dhe shumë shpejt do të largohen edhe ato”, ka theksuar Musliu.

“Është e mundur nga 1000 banorë, tre me qenë kundër. Kemi menduar që kanë me qenë edhe më tepër unë e di që kanë edhe interesa private, personale, biznesore, andaj gjithçka është në rregull”, ka shtuar Musliu.

Ndërsa kryetari i lagjes, Mentor Dobruna, ka thënë se vendimin për mbyllje do ta kundërshtojnë në rrugë ligjore.

Vendimi për mbylljen e kësaj rruge, një pjese të rrugës “Qamil Hoxha” si dhe rrugëve dhe rrugicave në kampusin universitar, është publikuar nga Komuna më 21 gusht dhe është thënë se do të hyjë në fuqi nga një shtatori (sot). Rrugët në kampusin universitar nuk janë mbyllur të premten.

Ndërkohë ditë më parë banorët e rrugës “Rexhep Luci” në Prishtinë janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që kjo rrugë të shndërrohet në shesh.

Ata kanë nënshkruar një peticion publik, ndërsa kanë thënë se vendimi është marrë pa u ndjekur procedurat dhe është kundërshtuar me nënshkrimin e 90 për qind të banorëve.