Një ditë pasi KOHA ka raportuar se Prokuroria e Shtetit ka nisur dy hetime të ndryshme për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë për mosnënshkrim të kontratës për insulina pa certifikatë të cilësisë, ministri Arben Vitia është shprehur i befasuar me një gjë të tillë. Përkundër hetimeve, ai ka lënë të kuptohet se MSH-ja nuk do të nënshkruajë ndonjë kontratë për barna që nuk i kanë të gjitha garancinë e cilësisë
Prokuroria e Shtetit do të vendosë brenda kësaj jave nëse mosnënshkrimi i kontratës për furnizim me insulina pa certifikatë të cilësisë e të sigurisë do të trajtohet nga Prokuroria Speciale apo ajo Themelore.
Burimet në hetuesi kanë thënë për KOHËN se rastin pritet ta marrë përsipër Prokuroria Speciale.
Tenderi ishte hapur në vitin 2020, gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit. Në të patën aplikuar dy kompani dhe ajo që ishte zgjedhur fituese para më shumë se dy vjetësh nuk e kishte certifikatën e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit, përmbledhja e të cilave quhet Autorizim Marketingu.
Ky ishte arsyetimi i deklaruar publikisht nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe nga sekretari Naim Bardiqi, se përse nuk po e nënshkruajnë kontratën e tenderit.
E intensifikimi i hetimeve për mosnënshkrimin e kontratës nuk ia ka ndryshuar qëndrimin ministrit Vitia që të mos e hedhë firmën në këtë kontratë.
“Atë që e kam thënë me parë nuk e ndryshoj as sot. Unë jam këtu ministër i Shëndetësisë për të garantuar mbarëvajtjet e proceseve, ligjshmërinë e proceseve, por mbi të gjitha për të garantuar cilësinë e barnave dhe materialeve që përdorin pacientët dhe qytetarët tanë. Dhe kjo cilësi siç e kemi thënë disa herë sigurohet vetëm me Autorizim Marketingu apo me regjistrimin e barnave në Republikën e Kosovës”, ka thënë Vitia.
Ai ka shprehur habinë për hetimet e nisura lidhur me çështjen, porse nuk ka pranuar që të komentojë për këtë.
“Unë nuk kisha dhanë koment që të mos i bie që po përzihem aty ku nuk duhet të përzihem, megjithatë nuk mundem pa e përmendur që është interesante i gjithë ky proces, marrë parasysh që ne këtu po e mbrojmë ligjshmërinë, dhe po e mbrojmë cilësinë e produkteve dhe shëndetin e qytetarëve dhe të fillojnë hetimet për këtë gjë për mua është pak e çuditshme, mirëpo pa u lëshuar në komente të tjera e që nuk është puna ime t’i komentojë”, ka shtuar ai.
Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit. Në rastin më të fundit, të premten e javës së shkuar, OSHP-ja pas orarit të punës i ka dërguar urdhëresë Ministrisë së Shëndetësisë që të procedojë me këtë tender. E për këtë, OSHP-ja i dha Ministrisë pesë ditë afat, i cili përfundon këtë të mërkurë.
Ky tender është hapur në fundin e vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj.
Prej viti 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu.
Siç ka mësuar KOHA, kompania që po synon këtë tender as nuk ka aplikuar për dokument të tillë në Agjencinë e Barnave.