Policia e Kosovës në Ferizaj në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, të hënën kanë organizuar një minimaratonë me dy qëllime: të shënohet Dita e Çlirimit të qytetit dhe të ndihmohen të varfrit
Policë, ushtarë të Kosovës e të KFOR-it, nxënës e qytetarë, kusht të vetëm për të marrë pjesë në minimaratonën që u organizua të hënën për nder të Ditës së Çlirimit të Ferizajt, kishin blerjen e një fanelle në vlerë 5 euro.
E paratë e siguruara nga minimaratona “Vrapojmë me Policinë”, do t’u ndahen të paktën 20 familjeve në nevojë.
“510 fanella kanë qenë gjithsej dhe të gjitha janë shpërndarë apo janë shitur dhe vlera për një fanellë ka qenë 5 euro. Ato mjete do të grumbullohen dhe në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale do të përzgjidhen familjet me nevojë dhe ato do t’i shpërndahen secilës familje nevojtare”, ka theksuar Basri Shabani, drejtor i Policisë në Ferizaj.
Në konkurrencë të meshkujve triumfoi ushtari amerikan i KFOR-it, Travis Kirchner, kurse në atë të femrave qytetarja nga Elbasani, Kllaudia Nalleshi.
“Gara ishte shumë e mirë, e kam pasur gjithmonë në ëndërr dhe i kam lutur edhe gratë e të afërmve, por askush nuk ka ardhur. Unë kur e kam parë këtë e kam marrë bluzën dhe kam marrë pjesë”, ka theksuar Nalleshi.
Për nder të Ditës së çlirimit, Komuna e Ferizajt organizoi edhe një varg aktivitetesh të tjera.