Arbëri

Më 2030 në Shqipëri mund të mbesim vetëm 1 milion banorë

Del raporti i INSTAT në lidhje me numrin e popullsisë në vend, ku thekson se është ulur ndjeshëm numri i lindjeve. Ikja e të rinjve në emigracion, pamundësia ekonomike për të rritur fëmijë dhe planifikimi familjar i çifteve të reja po çon drejt uljes numrin e popullsisë.

Popullsia jonë po shkon gjithnjë e më shumë drejt tkurrjes, duke dhënë shifra alarmante që deri në vitin 2030 mund të mbesin vetëm 1 milion banorë në Shqipëri. Statistikat janë bërë të ditura nga INSTAT, që ka paraqitur të dhënat zyrtare mbi numrin e popullsisë në vend, e cila është ndalur në raportin e numrit të lindjeve dhe vdekjeve. Gjatë 6 muajve të parë të 2018-s, shtesa natyrore e popullatës për periudhën Prill – Qershor të këtij viti ishte 770 banorë, nga 2300 që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Në total popullsia është tkurrur me 1530 banorë, ose me 70% raporton INSTAT. Kryeqyteti ka pasur një shtesë të popullatës më të mirë krahasuar me qarqe të tjera, ndërsa Gjirokastra, Vlora, Berati, Korça dhe Fieri patën një tkurrje negative të raportit mes lindjeve dhe vdekjeve. Lindjet u reduktuan me 25% për tremujorin e dytë të vitit krahasuar me periudhën Janar –Mars. Gjatë dy viteve të fundit, plakja e popullatës dhe rënia e lindshmërisë ka nisur të shfaqet edhe në vendin tonë, ndërsa vite më parë Shqipëria ishte në hartën e vendeve që njihej për numrin e lartë të lindjeve dhe moshën e re të popullsisë. Por faktorët e tjerë përveç uljes së lindjeve është edhe largimi i popullsisë, kryesisht në emigracion në vendet e BE-së. për më shumë personat që largohen janë kryesisht të rinj, madje edhe adoleshentë që nuk e perceptojnë jetesën e tyre në vendlindje. Me ritme të tilla parashikohet që në vitin 2030 në vendin tonë të mbesin vetëm një milion banorë, me një mesatare të moshës 42 vjeç. Për tremujorin e dytë të këtij viti lindjet janë ulur me 25.3% ose 1.891 lindje më pak për periudhën prill-qershor të këtij viti u regjistruan krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018, pasqyron një rënie me 69,9 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Disa nga arsyet e uljes së lindshmërisë janë mundësitë ekonomike të familjeve të reja, planifikimi familjar por arsyeja kryesore mbetet sërish emigracioni. Në bazë të qarqeve, Gjirokastra është qyteti që ka pasur numrin më të ulët të lindjeve ku shënuan vetëm 87 lindje në tre muaj, ndërsa në katër qarqe të vendit shtesa natyrore ishte negative edhe këtë tremujor. Në Vlorë, Korçë, Fier dhe Berat numri i vdekjeve e tejkaloi atë lindjeve. Aktualisht mosha mesatare e shqiptarëve është 35 vjeç, ndërsa pritshmëritë sipas të dhënave të INSTAT janë që në 2031 mosha e popullsisë të shkojë 42 vjeç. E parë përtej muajve, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë uljen e popullsisë që si shkak kryesor ka emigracionin. Në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona. Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur një rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur. Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Ndërsa INSTAT jep shifra gjithnjë e më shqetësuese, edhe OKB ka parashikim edhe më të zymtë. Parashikohet që Shqipëria si shkak i largimeve dhe uljes së lindjeve të përfundojë pas një dekade me vetëm 1 milion banorë.

Lindjet sipas qarqeve

janar-mars prill-qershor

Vlorë 333 221

Berat 334 212

Gjirokastër 112 87

Lezhë 368 255

Kukës 279 196

Korçë 503 339

Fier 730 507

Durrës 763 626

Tiranë 2.379 1.851